Në tubimin në Çair të Shkupit, kreu i BDI-së premtoi mandat të përhershëm për PSP-në, për të zbardhur të gjitha dilemat që kanë të bëjnë me drejtësinë. Por në tetor BDI nuk i votoi dy propozim-ligjet që PSP-ja i dorëzoi në Paralmentin e RM-së. Andaj një premtim i tillë është kontradiktor e mund të mbetet vetëm një retorikë parazgjedhore, vlerësojnë ekspertët për Portalb.mk.

Në tubimin e djeshëm në Çair, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti shpalosi platformën e BDI-së për këtë fushatë para-zgjedhore, një prej pikave të së cilës është shteti ligjor. Sipas Ahmetit, nuk ka shtet të mirëfilltë pa funksionuar shteti ligjor. Ndërsa funksionimi i shteti ligjor në Maqedoni varet nga puna e Prokurorisë Speciale Publike dhe implementimi i Raportit të Pribes.

Ahmeti këtë herë kërkon votat e shqiptarëve, në mënyrë që t’ia zgjasë mandatin PSP-së.

“Duhet pa hezitim, pa frikësim t’i jepet mandati i përhershëm Prokurorisë Speciale! E tërë kjo storje një herë e përgjithmonë në rrugë ligjore le të pastrohet! Sepse asgjë nuk duhet lënë dyshimeve… asgjë nuk duhet lënë në harresë. Gjithçka le të sigurohet! Gjithçka le të pastrohet! Gjithashtu, është kërkesë në vazhdimësi e miqve tanë, komunitetit ndërkombëtar, si aleat i përhershëm dhe partner që i kemi patur”– theksoi Ahmeti.

Këto fjalë mund t’i dëgjoni në videon e bashkëngjitur, prej min. 52:38- 53:58.

Partitë shqiptare parlamentare gjithmonë ishin “pro” PSP-së me deklaratat e tyre, por këtë përkrahje nuk e treguan në Parlament, pikërisht atëherë kur PSP-ja dorëzoi dy propozim-ligjet. Ligjet e dorëzuara janë të patjetërsueshme për punën e PSP-së, respektivisht që ajo të hyjë më thellë në lëndët e rasteve si “Monstra”, “Sopoti” dhe “Martin Neshkovski”.

 

Për njohësit e çështjeve politike premtimi i djeshëm i BDI-së është në kundërthënie të plotë me qëndrimin e saj në Parlament.Sipas tyre, ky premtim mund të jetë rezultat i presionit të brendshëm që mund t’i vijë nga qytetarët ose i presionit të jashtëm, që mund t’i vijë nga bashkësia ndërkombëtare.

“Premtimi i djeshëm i BDI-së ku u tha se do ta përkrahë një mandat të përhershëm për PSP-në, paraqet edhe një kontradiktë të rradhës. Kjo për arsye se po kjo parti kohë më parë nuk i dha përkrahjen e pritur PSP-së.”-tha Ibrahim Mehmeti për Portalb.

“Kuptohet se ky ndryshim i qëndrimit mund të kuptohet edhe si nënshtrim i kësaj partie ndaj vullnetit të qartë të qytetarëve. Mirëpo nëse ky ndryshim nuk justifikohet me masat të cilat BDI do t’i ndërmarrë që ta realizoj këtë premtim, atëherë kjo mbetet vetëm një retorikë parazgjedhore”-shtoi Mehmeti.

Sipas Albert Musliut, BDI-ja tani sigurisht se do t’i përmend të gjitha pikat për të cilat do të angazhohet pas zgjedhjeve. Kështu BDI sipas tij, nuk e ka penguar PSP-në në kontekstin e asaj se i është përgjigjur ftesës së PSP-së, duke u paraqitur para saj për dëshmi. Madje duke e ditur se PSP-në e mbështet faktori ndërkombëtar, është e qartë se BDI nuk do ta kontestojë atë. Gjithsesi i paarsyeshëm mbetet mos-votimi i ligjeve që PSP i kishte propozuar në Kuvend.

“Është e qartë se vetëm me votat e BDI-së ligjet që i propozoi PSP-ja nuk do të miratoheshin. Megjithatë mos-votimi i atyre ligjeve ishte lëvizje e gabuar. Kjo nuk mund të arsyetohet me mos-koordinimin me partnerin e koalicionet”theksoi ndër tjerash Musliu./Portalb.mk