Monday , January 25 2021

“Përzhino”, kusht i ri i Maqedonisë për në NATO

Në pritje të vizitës së ndihmës sekretares amerikane të shtetit, Viktoria Nuland, nga Aleanca e NATO-së arrijnë kërkesa të reja. Derisa në dy samitet e fundit të NATO-s,  në Çikago dhe në Uells prej Maqedonisë kërkohet që të përmirësoj marrëdhëniet ndëretnike, të zgjidh çështjen e emrit, dhe të zbatojë reformat, nga Samiti në Varshavë u kërkua edhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Përzhinës. Në deklaratën e përbashkët kërkohet që partitë politike të kthehen në tavolinën e bisedimeve, dhe të krijojnë kushte për zgjedhje të besueshme. LSDM pret që ardhja e ndihmës sekretares amerikane të shtetit, Viktoria Nuland, të sjellë ndryshime të rëndësishme për tejkalimin e krizës politike në vend.

“Si një mik i dëshmuar i Republikës së Maqedonisë, presim që ekselenca e saj, zonja Nuland, do të japë një kontribut të rëndësishëm, me propozime të veta për tejkalimin e krizës politike në vend, vendosjen e sundimit të ligjit, dhe bartjen e përgjegjësisë për të bërat gjatë angazhimit politik të kësaj qeverisje kriminele”, tha Petre Shilegov.

Ish diplomati, Agron Buxhaku thotë se kur dy super fuqi si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur që të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike, ajo do të ndodhë shumë shpejt.

“Konsideroj se, jam shumë optimist, dhe konsideroj që është një moment shumë me rëndësi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me zonjën Nuland, dhe Gjermania me përfaqësues special kanë marrë ta zgjidhin këtë problem, dhe mendoj që kjo do të zgjidhet shumë shpejt. Sepse Shtetet e Bashkuara dëshirojnë demokraci dhe paqe, Gjermani donë punë dhe rregull, kështu që kur ato dy superfuqi të mëdha ekonomike dhe ushtarake, e kanë marrë ta zgjidhin këtë problem, besoj që do ta zgjidhin, sepse janë të dëshmuar si shtete mike të shqiptarëve si komb, dhe të Maqedonisë si shtet”, shprehet Buxhaku.

Edhe për ish diplomatin, Risto Nikovski, secila ndihmë është e mirëseardhur. Ai diplomaten Nuland e quajti  si “buldozeri amerikan”, por  dyshon se të dërguarit që vijnë për të lehtësuar bisedimet në Maqedoni sjellin sugjerime për të mirën e vendit. Ai thotë se secili i dërguar niset nga interesi i shtetit që përfaqëson.

“Në thelb, secila ndihmë është e mirëseardhur. Por, ambasadorët e huaj, duke përfshirë këtu edhe Nuland, ata nisen nga interesat e tyre në Maqedoni, dhe jo me tonat. Ekziston mundësia për ndonjë hap të gabueshëm, i cili mund të ketë pasoja për të gjithë qytetarët e këtij shteti”, thotë ai.

Nuland sot qëndroi në Prishtinë dhe Tiranë, ndërsa nesër mbërrin në Shkup, për të ndihmuar procesin e zgjidhjes së krizës politike. Kjo është vizita e dytë në Maqedoni nga fillimi i krizës politike, ndërsa pas asaj të parës u nënshkrua Marrëveshja e Përzhinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *