Sunday , April 18 2021

PËRSËRI PROTESTA PËR UJIN NË BOGOVINË, BANORËT: HAZBI IDRIZI, DUART LARG UJËSJELLËSIT

Problemi i kamotshëm i menaxhimit me ujë në Bogovinë nuk po përfundon. Banorët e revoltuar përsëri kanë dal që të shprehin pakënaqësinë e tyre në formë proteste para Komunës së Bogovinës. Ata kërkojnë që  të vetë-menaxhojnë me ujin e pijshëm, siç kanë bërë për 30 vite me radhë. Vedat Sadiku, një nga organizatorët e protestës thotë se kryetari i komunës, Hazbi Idrizi po përdorë shantazhe të ndryshme për ta marrë nën kompetencat e saj menaxhimin e ujësjellësit, që deri tani po vetëmenaxhohet nga shoqata qytetare “Ali Munishi”.

 “Por ai vazhdon me të njëjtën retorikë, duke u kërcënuar, shantazhuar dhe duke u thirrur ne ligj, edhe pse ligji edhe gjendja faktike është në anën tonë, për shkak se ujësjellësi është pronë e qytetarëve që nga viti 1986 dhe ashtu do të mbetet. Prandaj ne kemi thirrur këtë protestë që ti tregojmë Hazbi Idrizit se ne asnjëherë nuk do të heqim dorë nga menaxhimi i pasurisë sonë të përbashkët”, u shpreh Vedat Sadiku, organizator i protestës.

Në përkrahje të protestës dolën edhe mërgimtarë, që sipas tyre, ujësjellësi duhet të mbetet në menaxhimin e banorëve të kësaj zone.

Imer Elmazi, drejtor i shoqatës “Ali Munishi”, që po menaxhon me ujësjellësin thotë se kryetari i Bogovinës Hazbi Idrizi po dyshon në cilësinë dhe mirëmbajtjen e pastërtisë së ujit. Sipas tij, janë bërë analiza nga të cilat është vërtetuar se uji është i pastër. 

“E gjitha kjo u vërtetua me dokumentin përkatës të analizave që u bënë, kurse më i rëndësishëm ishte fakti që se ata e radhitën ujin tonë në grupin e ujerave më të mirë në pikëpamje të përmbajtjes fiziko-kimike të tij. Prandaj sinqerisht i preferoj Hazbi Idrizit që të mos ketë frikë dhe të mos konsumoj lëngje të tjera  sepse uji i burimeve tona është mjaftë i shëndetshëm”, tha Imer Elmazi, Drejtori i shoqatës “Ali Munishi”.

Nga komuna e Bogovinës nuk reaguan lidhur me protestën, që është e  treta brenda këtij viti. Ujësjellësi në këtë komunë nga viti 1985 e deri sot menaxhohet nga banorët përmes shoqatës së formuar  “Ali Munishi”, e pagëzuar me emrin e një banori të fshatit të Bogovinës, që humbi jetën gjatë instalimit të rrjetit të ujësjellësi në vitin 1987.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *