Thursday , January 21 2021

Përse goditet arsimi shqip?

Shkruan: Binas Pajaziti

Ata që tentojnë të na poshtërojnë do ta marrin ndëshkimin e popullit dhe mallkimin e Zotit. Mëkatarët e mëdhenj të padrejtësive të këtij populli do largohen me turp duke mos i lejuar të na gënjejnë dhe të na mashtrojnë sërish. Shqiptarët e maqedonisë si pjesë e kombit me virtyte, nuk duhet të lejojnë të poshtërohen botërisht nga një strukturë e cila është bërë vazal i pushtetit.
Tendenca është që shqiptarët të jenë gjithkund, por të mos jenë në qendër. Këtë e dëshmon vendim i fundit i komunës së Tetovës, për t’ia ndarë hapësirën e ish “Shkolla e mesme e mjekësisë” gjimnazistëve maqedonas. Edhe kundrejt kërkesave që ky objekt ti ndahej tanimë gjimnazit 7 Marsi një gjë e tillë nuk qe e mundur. Si duket që në fillim ka qenë një plan i kurdisur mirë që shqiptarët të dërgohen në periferi të qytetit (drenovec), ndërsa “vëllezërit maqedonas” ti mbajmë në qendër, madje më afër policisë, që ti ruaj si kokla në dhjam, ashtu si i ruajnë tifozët primitiv të teteksit në qendër të qytetit kur bëjnë tifo primitive, ofendojnë dhe shajnë shqiptarët. Pra, tendenca është e qartë, çdo kund mund të jeni, por jo edhe në qendër.
Arsimi është shtylla kryesore e zhvillimit të shoqërisë, gjithçka sillet rreth arsimit, sepse nga arsimi dalin mjekët, juristët, politikanët dhe si i tillë arsimi e ndërton të ardhmen tonë, çdo profesion tjetër e meremeton atë. Prandaj, arsimi është kthyer në një plagë të hapur që kohë pas kohe pëson goditje të shumta nga projektet antishqiptare.
E tillë ishte edhe tendenca e largimit të gjimnazit “Zef Lush Marku” i cili u dislokua nga qendra e Shkupit për te varrezat e Butelit. Mbase këtu duhej të përcilleshin disa mesazhe, se shqiptarët nuk duhej të ishin në qendër, por vetëm në periferi si qytetar të rendit të dytë. Shqiptarët nuk duhej të ishin në Nerez, sepse Nerezi është shpina e Vodnos dhe kur shpina nuk është e mbrojtur “rreziku” është i madh (prandaj Nerezi i ka gjithë ato probleme). Por, mesazhi kryesor ishte arsimimi i shqiptarëve duhej varrosur në heshtje, madje diku në periferi e jo në qendër nga frika se një ditë mund të ringjallej. E gjithë kjo se shqiptari i mirë është ai që hesht, ai që fle, është ai që ka diplomën e periferisë, ai që nuk ka shtyllë kurrizore e më kollaj lakohet.
E gjithë kjo do të ishte e arsyeshme për politikat shoviniste maqedonase, por si ta arsyetojmë ne të “shkretët” këtë diskriminim kur zotohen dhe e realizojnë pushtetarët tanë.
Prandaj shtrohet pyetja: Në shërbim të kujt janë këta njerëz? Cila është detyra e tyre? Deri ku do të shkoj xhahillëku i tyre? Ky xhahillëk bën që këta më shumë të kenë respekt për mjekërcjepërit sllavomaqedonas, që po e shkatërrojnë në mënyrë të qëllimshme indin shqiptar, sesa për të ardhmen e fëmijëve tanë.
E tillë po na tregohet edhe znj. Teuta e Tetovës që gjithë ditën flet për projekte dhe koncepte multietnike, por në esencë realizon projekte monoetnike të VMRO-DPMNE e që i ka rrënjët te akademia sërbe.
Megjithatë pushtetarët tanë duhet ta dinë se pa integritet nuk ka personalitet, nuk ka kurajo dhe përgjegjësi qytetare, nuk ka demokraci. Dhe si të tillë do t’u mundësojnë brezave të ri të jenë servil dhe inferior ndaj të tjerëve. Prandaj, me veprimet e tyre ata bëhen shembulli më i keq i mundshëm që historia ti mbaj mend për të keq.
Të gjithë ne duhet t’ja vëmë gishtin mendjes dhe mos pyesim se për kë bie kambana e së keqes, se një ditë ajo do të bjere edhe për ty.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *