Sunday , April 18 2021

Përmbytje e bllokim rrugësh, moti i keq godet në jug dhe veri (Video)

 Reshjet e dendura të shiut kanë rritur nivelin e ujërave të lumenjve dhe përrenjve në vend. Ministria e Bujqësisë njofton se në Sarandë ka dalë nga shtrati lumi Bistrica, Pavllos dhe Kalasa, duke shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore.
Prurje të rritura regjistrohen edhe në lumin Drini i Zi dhe në përrenjtë malorë në Dibër. Mësohet se për shkak të dëmtimit është ndërhyrë edhe në argjinaturat mbrojtëse në Gjoricë. Dëmtime ka edhe në kanalin ujitës të Klosit, për shkak të rrëshqitjes së tokës.

Mëngjesin e së shtunës, rruga nacionale Gjirokastër-Kakavi u bllokua nga vërshimi i ujërave. Ndërkohë, në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas ka rrëshkitur një masiv dheu dhe rruga është me 1 kalim. Pas ndërhyrjes se bashkisë me mjete të rënda kalimi është hapur.

Ndërkohë që situata po monitorohet rregullisht nga Bordet e Kullimit, sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, kemi edhe toka bujqësore të përmbytura në Torovicë, Zejmen-Shënkoll, Barbullojnë dhe Dajç-Blinisht.

Ndërsa situata më problematike mbetet në Kurbin, ku janë 500 hektarë tokë nën ujë. Ministria e Bujqësisë bën me dije se nuk ka probleme me furnizimin me energji elektrike, pasi hidorovorët kanë punuar me kapacitet të plotë.

Por, më herët OSHEE tha se moti i keq ka shkaktuar probleme në furnizimin me energji, duke rrëzuar shtylla tensioni dhe duke këputur përcjellësa, ndërsa 39 fidera janë pa energji. Pa energji janë edhe disa zona të Tiranës, Durrësit dhe Vlorës, ndërsa defekte shënohen sidomos në zonat rurale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *