Tuesday , April 20 2021

Pas reagimit të Fakte.net, gjykata kufizon në 30 ditë burgun shtëpiak të vrasësit të “Shqiponjës”

Pas reagimit të mediumeve dhe opinionit të gjërë, e që u inicua nga portali Fakte,net, gjykata Themelore në Kumanovë ka përmirësuar vendimin paraprak ndaj të akuzuarit Bajram Limani për vrasjen e Xhemail Rexhepit, ku këtij të fundit ia ndryshuan masën e paraburgimit me arrest shtëpiak, mëson ekskluzivisht Portalb.mk. Në vendimin e parë nuk ishte përcaktuar afati kohor i arrestit shtëpiak, ndërkaq në vendimin e dytë të Gjykatës Themelore – Kumanovë thuhet se është bërë “përmirësim” dhe se vendimit të ri i shtohen edhe fjalët “në kohëzgjatje prej 30 ditëve” duke u arsyetuar se kjo ka qenë “gabim teknik”. 

13664613_1108386729231812_1558895727_nAvokati që përfaqëson viktimën, Marjan Vitanovski, thotë për Portalb.mk se nëse merret parasysh kualifikimi juridik, gjegjësisht pesha e veprës penale, nuk janë plotësuar supozimet ligjore të sillet vendim me këtë përmbajtje.

“Për këtë rast nuk janë plotësuar supozimet ligjore të sillet vendim me këtë përmbajtje.” thotë Vitanovski duke shtuar se kjo mund të mos ndikojë në proces.

POLITIZIM I SKAJSHËM

Gjykata nuk e ka marrë parasysh veprën, pasi që bëhet fjalë për vrasje e cila është pranuar nga vetë dorasi, duke anashkaluar Kodin Penal, nenin 164, paragrafi e 3-të që thotë se “Gjatë vendosjes së paraburgimit, veçanërisht për kohëzgjatjen e tij, do të mbahet llogari e veçantë për përpjesëtimin ndërmjet peshës së veprës së kryer penale, dënimit i cili mund të pritet sipas të dhënave me të cilat disponon gjykata dhe nevojat për përcaktim dhe kohëzgjatje të paraburgimit.”

Për rastin ne fjalë, që nga fillimi i procesit gjyqësor i cili zhvillohet në diskrecion të plotë, familjarët e viktimës për Portalb.mk, thonë se ekzistojnë dyshime të mëdha se gjykon politika dhe jo drejtësia. Ata nuk duan ta komentojnë më tej publikisht këtë rast për shkak se sipas tyre ata që moti kanë humbur besimin në drejtësinë e këtij shteti. Me akuza të ngjashme doli edhe partia opozitare Lëvizja Besa duke cekur se i dyshuari Limani është mik i afërt i liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Bajram Limani është i akuzuar për vrasjen e Xhemail Rexhepit i njohur në opinion me nofkën “Komandant Shqiponja”. Incidenti tragjik ndodhi me datë 23 korrik 2015. Limani ishte u.d. kryetar i Degës së BDI-së-Kumanovë, ndërsa Rexhepi kandidat potencial për ta marrë kreun e Degës.

Limani është një nga personat kyç të Bashkimit Demokratik për Integrim në rajonin e Kumanovës dhe partia me çdo kusht tentoi ta vendos në krye të degës së BDI-Kumanovë. Pas incidentit, familjarët thonë se kjo parti me çdo kusht, përmes prokurorëve dhe gjykatësve të politizuar dhe instrumentalizuar, tenton që ai ti ikë dënimit maksimal për veprën e bërë dhe të kalojë më lehtë.

Kujtojmë vetëm dy rastet më të freskëta ku opinioni është dëshmitarë i drejtpërdrejt i partizimit të drejtësisë në Maqedoni nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim. Në fillim mori gradën prokuror një ish funksionar i BDI-së dhe së fundmi në Këshillin e Prokurorëve u emërua prokurorë një person që ka qenë donator i BDI-së, parti kjo që është pjesë e ekzekutivit.

GJYKATA E MBYLLUR ASESSI NUK DEKLAROHET

Portalb.mk ditë me radhë ka tentuar nga Gjykata të merr detaje shtesë për procesin e gjykimit për vrasjen e Xhemail Rexhepit, po nga ky institucion heshtin. Në vizitinë tonë në këtë institucion, thanë që të gjithë përgjegjesit për këtë rast janë në pushim duke mos lënë asnjë zëvendësim për punën e tyre.

Të dhënat, na thanë një gjykatëse që insistonte në anonimitet, mund të marrim vetëm nga gjykatësja përgjegjëse e procesit, Maja Denkoska, e cila është në pushim deri më datën 8.08.2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *