Friday , April 23 2021

Partitë jashtëparlamentare: Kodi zgjedhor dëmton shqiptarët

Partitë jashtëparlamentare shqiptare reagojnë pas vendimit të mbrëmshëm për ndryshimet në kodin zgjedhor, me të cilat rrezikohet diaspora shqiptare. Lëvizja BESA, UNITETI dhe LR PDSH, vlerësojnë se ndryshimet në kodin zgjedhor, janë në dëm të shqiptarëve dhe një gjë e tillë do të ndikojë në uljen e numrit të deputetëve shqiptarë në kuvend, transmeton Fakte.

Zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Faton Fazliu, tha se fshirja e diasporës shqiptare nga lista dhe fakti që nuk u shtrua as një detyrim për interesin shqiptarë në Maqedoni, janë mashtrimi dhe tradhtia e radhës që dy subjektet shqiptare të kapura nga VMRO-ja, sipas tij, ua ofrojnë shqiptarëve të Maqedonisë.

“Lëvizja BESA do të angazhohet fuqishëm që të mbrojë interesin e votuesit të mërgimtarëve shqiptarë, duke e vlerësuar vendimtarë rolin e tyre në fitimin e deputetëve shqiptarë në të kaluarën e afërt. Nuk do të lejojmë që vasaliteti i subjektit shqiptarë në pushtet edhe një herë të abuzojë me interesat shqiptare të votuesve shqiptarë, vetëm për të kënaqur ‘prijatellat’ dhe ‘naçallnikët’ e tyre”, tha zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Faton Fazliu.

Ndërkaq, Uniteti vlerëson se ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor janë në dëm të shqiptarëve, pasi do të ketë ndikim të dukshëm në numrin e deputetëve shqiptarë.

“Uniteti vlerëson se kodi zgjedhor që u votua mbrëmë në Kuvend,është i dëmshëm për shqiptarët, ngase i përjashton të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në diasporë nga lista zgjedhore bazë, si dhe nga kufizimi i numrit të deputetëve nga diaspora. Kjo do të ndikojë dukshëm në numrin e deputetëve shqiptarë. Votimi nëpër përfaqësitë konzullaro-diplomatike nuk është i sigurtë nga manipulimet, gjë që e tregon edhe përvoja e deritanishme”, thonë nga UNITETI.

Lëvizja për Reforma në PDSH, nga ana tjetër qëndron në reagimin e tyre të para dy ditëve, kur u bë e ditur se rrezikimi i këtyre 39 mijë votuesve është përfshirë në marrëveshje.

“Unë bëj apel që të respektohet Kushtetuta dhe në të njëjtën kohë parashtroj pyetje: Cili do jetë hapi i radhës me diasporën shqiptare? Do t’iu merret nënshtetësia dhe do t’u konfiskohet prona dhe do të kenë fatin e shqiptarëve në Çamëri. Për këtë do të duhet të përgjigjen liderët politik të cilët i thonë vetes udhëheqës të subjekteve politike shqiptare. Dhe nga ana tjetër pa pikë turpi u fshinë nga e drejta e votës qytetarë shqiptarë këtu në Republikën e Maqedonisë”, thonë nga LR PDSH.

Me 92 vota për, 3 kundër dhe vetëm 1 i përmbajtur, mbrëmë Parlamenti i Maqedonisë votoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor./Shenja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *