Kryesia Qendrore e partisë UNITETI ka mbajtur mbledhje, ku është diskutuar rreth listës zgjedhore të dyshimtë dhe asaj të përgjithshme, transmeton Fakte.
Në këtë mbledhje, UNITETI ka vlerësuar se vendimi aktual për pastrimin e listës zgjedhore, ndryshimet në Kodin zgjedhor, mënyra e zgjedhjeve lokale në të ardhmen dhe e zgjedhjes së deputetëve nga diaspora, janë në dëm të madh për shqiptarët për shumë arsye.
UNITETI vlerëson se kjo nuk mund të bëhet pa regjistrim të popullatës, i cili është kusht për të pasur një Listë zgjedhore valide.
“Vendimi që mbi 100.000 votues shqiptarë në mërgatë të votojnë vetëm për 3 deputetë është një padrejtësi dhe zhvlerësim i votës, në kushte kur ata nuk mund të vijnë të votojnë në vendin e tyre pa u paraqitur paraprakisht në KSHZ. Qytetarëve u vështirësohet kryerja e këtij procesi për shkak të mungesës nga puna dhe shpenzimeve të pa nevojshme”.
UNITETI konsideron se pastrim i listave nga votuesit e rrejshëm paraqet pastrim nga votuesit shqiptarë, që i hap rrugën humbjes së shumëfishtë të shqiptarëve, edhe në numrin e deputetëve, edhe në komunat që deri tani i kanë fituar.