Thursday , June 24 2021

Para të pista në llogaritë bankare të partive politike në Maqedoni

Edhe pse fushata zgjedhore akoma nuk ka filluar, partitë politike në Maqedoni kanë hapur qesen dhe po harxhojnë para në aktivitete të shumta për rritur përkrahjen në opinion.

Vetëm gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, partitë shqiptare por edhe disa OJQ, pa llogaritur koston shtruan iftare të shumta, madje duke mbushur edhe sheshet e qyteteve, njofton agjencia e lajmeve INA.

Përpos kësaj, harxhime të mëdha janë bërë edhe për hapjen e shtabeve dhe zyrave lokale partiake, takime në terren me qytetarët si dhe pagesa të mëdha në rrjetet sociale për ti reklamuar funksionarët e tyre.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në kampin maqedonas. Hulumtimet e para tregojnë se këto subjekte politike financohen përmes donacioneve të dyshimta.

Sa para, aq vota. Zyrtarët e partive politike si të tërbuar po vrapojnë në gjah pas votave. Nuk kursejnë para, dhe këtë e tregon edhe raporti i fundit i Organizatës ‘Transparency International’ në Maqedoni dhe i Qendrës për analiza ekonomike.

Sipas vlerësimeve të tyre për dy muaj VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë shpenzuar nga 50 mijë euro për hapjen e zyrave lokale, ndërsa BDI gjatë kësaj periudhe ka shpenzuar 25 mijë euro.

Sllagjana Taseva nga Organizata ‘Transparency International’ thotë se partitë politike po e përdorin edhe facebook-un për reklamim, edhe pse gjatë kësaj periudhe kohore një gjë e tillë është e ndaluar.

“Gjatë monitorimit është vërtetuar se partitë politike akoma financohen përmes donacioneve të dyshimta. Nëse shikohet lista e donatorëve, mund të vërehet se një pjesë e tyre janë të pa punë, ndërsa kanë donuar shuma të mëdha të parave. Kjo e rrit dyshimin se partitë politike po financohen nga para jo legale apo të pista”, shprehet ajo.

Nga kjo organizatë theksojnë se gjatë fushatë zgjedhore ka mundësi të vota të blihen me shuma minimale, nga 500 deri në 1000 denarë./INA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *