SHARE

Pjesëmarrja e 70 kompanive serbe dhe vetëm dy shqiptare (nga Shqipëria), ka bërë që Paniri i sivjetmë i Përgjithshëm Ndërkombëtar Prishtina 2018, të cilësohet edhe si ‘Panairi i Serbisë’ në Kosovë. Pse ka ndodhur kjo dhe si u bë që vetëm dy kompani të marrin pjesë nga Shqipëria, afër 100 nga Kosova dhe 70 nga Serbia?

‘Panair i Serbisë’ në Kosovë. Kështu po cilësohet ‘Panairi e Përgjithshëm Ndërkombëtarë Prishtina 2018’ i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në Prishtinë, pasi që pjesëmarrës në këtë panair janë rreth shtatëdhjetë kompani prodhuese serbe, dhe vetëm një kompani e vetme nga Shqipëria, përcjell Fakte.

Ky diskriminim i kompanive shqiptare dhe favorizimi i prodhuesve serb në këtë panair ka nxitur reagime të shumta, madje disa prodhues nën ombrellën e Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës e kanë bojkotuar këtë panair.

Mungesa e kompanive prodhuese shqiptare në këtë panair, Gërxhaliu thotë se është si pasojë e ngecjes së bashkëpunimit ndër shtetërorë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Është një problem që ne si Odë Ekonomike e kemi aktualizuar që disa vite, por gjithë këto përpjekje kanë hasur në vesh të shurdhër. Është koha kur edhe Kosova edhe Shqipëria të tejkalojnë barrierat e dhe patriotizmin folklorik”, ka deklaruar Gërxhaliu në një prononcim për Periskopin.

Gërxhaliu e ka cilësuar si të pa vërtetë edhe deklaratën e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozit, duke thënë se informatat për këtë panair kanë qenë të hapura dhe të çasshme për të gjithë.

“Nuk qëndron deklarata e ambasadorit Mingjozi se nuk kanë qenë të informuar. Ëeb-faqja e Odës Ekonomike është klikuar mbi 200.000 herë, të gjitha informatat kanë qenë, prandaj një argumentim i tillë është për të mbuluar dështimin e tyre, dhe jo si gabim për mos informim i Odës Ekonomike të Kosovës” është shprehur Gërxhaliu.

Për bojkotin e disa kompanive prodhuese kosovare, kryetari në ikje i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka thënë se një veprim i tillë është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës.

“Jemi dëshmitarë se në Kosovë falet çdo gjë, por suksesi nuk falet, dhe nëse mendojnë që me një veprim të tillë kanë kontribuar pozitivisht për Kosovën kanë gabuar. Sot kur shpaloset Raporti i Progresit dhe vërehen ngecjet e Kosovës, dhe të përcillet kjo me një bojkot të tillë është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës. Dhe lind pyetja, a mund ta diktojnë fatin e Odës Ekonomike të Kosovës 9 kompani që janë pjesë e Shoqatës së Prodhuesve, kur dihet që Oda i ka 16 mijë e 500 anëtarë. Në këtë sallë promovohet bashkëpunimi, integrimi, partneriteti dhe mbi të gjitha përmirësohet imazhi i Kosovës”, ka përfunduar Gërxhaliu në një prononcim për Periskopin.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

Por ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se përgjegjësia për pjesëmarrjen kaq të vogël të kompanive nga Shqipëria është e organizatorit të këtij panairi.

“Përgjegjëse për këtë organizim është Oda Ekonomike të Kosovës, dhe po besoj që drejtori i OEK_ut i ka bërë punën e vet, dhe ka ftuar bizneset me kohë,sepse kemi parë që ka pasur reagime edhe nga shtetit shqiptar. Por po besoj që janë dërguar ftesat me kohë nga Oda Ekonomike, ata të cilët kanë shprehur interes janë pjesë e këtij panairi. Ky panair është organizuar nën patronatin e Odës Ekonomike të Kosovës. Panairi mund të themi se ka karakter ndërkombëtar, është mirë kjo, sepse ka ura bashkëpunimi, dhe lidhen bizneset ndërmjet vete. Ne e kemi potencuar edhe sot se jemi të gatshëm të ndihmojmë bizneset tona, duke i hequr barrierat që kanë brenda dhe jashtë vendit. Ndoshta mund të gaboj të flas në këtë drejtim, por besoj që drejtori i Odës Ekonomike i ka dërguar me kohë edhe ftesat për kompanitë shqiptarë. Nuk e di pse pjesëmarrja e tyre është shumë e vogël, nuk e di, nuk mund të them asgjë”, është shprehur ministri Hasani për Periskopin.

Ai ka thënë se fakti që Serbia është një nga importuesit më të mëdhenj në Kosovë, mund të jetë shkas i një interesimi më të madh të kompanive serbe për të marrë pjesë në panair.

Hasani madje ka thënë se po punojnë për mbrojtjen e prodhuesve vendor, pas vizitës që i bëri një panairi të stërmbushur me kompani serbe të cilat i bëjnë konkurrencë çdo ditë e më shumë kompanive vendore.

“Ndoshta edhe kjo e bën që interesi i kompanive serbe të jetë më i madh. Por ne po e dëshmojmë çdo ditë, dhe ato mallra që e prishin konkurrencën në tregun e Kosovës, do të marrim masa mbrojtëse aty ku shohim se dëmtohet prodhimi i vendit”, ka deklaruar ministri Hasani në një prononcim për Periskopin.

Ministri i Tregitsë dhe Industrisë, Bajram Hasani

‘Panair të Serbisë në Kosovë’, kështu e ka cilësuar këtë organizim të Odës Ekonomike të Kosovës, kryetari i Klubit të Prodhuesve Kosovar, Astrit Panxha, i cili ka barë ftesë që prodhuesit vendor ta bojkotojnë këtë organizim.

“Ky panair ndërkombëtar, por është panair i Serbisë në Kosovë. Duke marrë parasysh numrin e pjesëmarrësve, sot më shumë kemi kompani të Serbisë që marrin pjesë sesa të Kosovës, të Shqipërisë as që po e diskutojmë apo vendeve tjera, sepse është një numër mjaft i vogël”, ka deklaruar Panxha në një prononcim për Periskopin.

Panxha ka theksuar faktin që Serbia çdo ditë e më shumë punon për bllokimin dhe shpërfilljen e shtetit të Kosovës, e ndërkohë në kryeqytetin e Kosovës, promovohen mbi 70 kompani prodhuese serbe.

“Duke e marr parasysh që jemi duke u përballë me një shtet që në çdo formë e bllokon shtetin e Kosovës, dhe në çdo formë mundohet që ta shpërfilli ekzistencën e Kosovës, dhe në çdo formë punon në zhbërjen e shtetit të Kosovës. Ministri I Jashtëm i Serbisë në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës thotë që po punon për heqjen e njohjeve te Kosovës, e nëse kjo është politikë, atëherë kujtojmë edhe rastin e ekipit të hendbollit të Serbisë që nuk pranoi të luante me ekipin e Kosovës, edhe pse e pranon dënimin me përjashtim nga garat ndërkombëtare. Ndërsa ne po themi, hajde të bëjmë biznes me Serbinë” është shprehur ai.

Sipas tij kjo pjesëmarrje e lartë e kompanive serbe është e pa logjikshme, kur dihet që Serbia ua ka mbyll derën kompanive dhe prodhuesve kosovar.

“Kjo nuk ka logjikë, kur e dimë që prodhuesit e Kosovës nuk kanë qasje në tregun e Serbisë, dhe janë të bllokuar në çdo mënyrë nga Serbia. Dhe ne ja hapim dyert Serbisë, që me kompanitë e saj me marrë pjesë në Panairin e Prishtinës, me një objekt që është ndërtuar me paratë e taksapaguesve” thotë Panxha.

Panxha ka pasur edhe një përgjigje për kreun e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliun, i cili i ka quajtur pseudopatriot, pas kërkesës së Shoqatës së Prodhuesve për bojkot të këtij panairi.

“Dhe kryetari i Odës Ekonomike del e thotë që jemi pseudo-patritot. Jo ne jemi me bashkëpunua me Serbinë, por në baza të barabarta. Ne i kemi ftuar edhe anëtarët tonë për bojkot, që janë 17 kompanitë më të mëdha në Kosovë me mbi 15 mijë të punësuar. Asnjëra nga to nuk merr pjesë në panair. Ka edhe shumë kompani tjera prodhuese që nuk marrin pjesë, sepse nuk është e logjikshme që t’iu jepet një hapësirë kaq e madhe kompanive serbe në Kosovë”, ka deklaruar Panxha në një prononcim për Periskopin.

Ai ka thënë se duhet të insistohet që të hapet tregu i Serbisë edhe për produktet kosovare përndryshe, edhe Kosova duhet t’i kthejë me të njëjtën monedhë Serbisë.

 

Drejtori i Klubit të Prodhuesve Kosovar, Astrit Panxha

Pjesëmarrjen kaq të lartë të kompanive serbe në panairin e sotëm,kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, po e cilëson si një përpjekje për përfitime personale apo edhe të vetë organizatorit.

Në një prononcim për Periskopin, Shahini ka thënë se përgjegjësia për këtë duhet të kërkohet nga organizatori i këtij panairi.

“Për pjesëmarrjen e kompanive serbe në Panair duhet që të kërkohet përgjegjësi nga organizatori i cili ka qenë më shumë i fokusuar në prurjen e kompanive nga Serbia sesa nga Shqipëria, dhe kjo ka pas sukses. AKB merret me promovimin e prodhimeve vendore, por ka disa të tjerë që e shikojnë vetëm përfitimin personal dhe të organizatës së vetë , pa shikuar kriteret kombëtare, duke i shkelur madje ato, dhe kjo është tepër e dëmshme për raportet raportet Kosovë-Shqipëri. Ky panair është komercial, dhe këtu ka ardhur deri te një biznes, që secila organizatë e ka të drejtën e vetë që të organizojë në forma siç ata duan” ka thënë Shahini në një prononcim për Periskopin.

Ai ka treguar se në organizimit që janë bërë nga organizata që ai drejton , pjesëmarrja e kompanive prodhuese nga Shqipëria ka qenë shumë e lartë.

“Por kishte me qenë më mirë që të jetë fokusi i kompanive kombëtare, që të marrin më shumë pjesë në këtë organizim, siç ne kemi organizuar p.sh në vjeshtën e vitit të kaluar, ku kanë marrë pjesë më shumë se 70 kompani nga Shqipëria në Javën e Biznesit të Kosovës, dhe kjo është një çështje se gjithmonë se kah organizatorët janë të orientuar, të bijnë biznese nga cili vend. Ne si AKB kemi promovuar gjithmonë bizneset shqiptare dhe kjo gjithmonë ka pasur sukses. Por ka edhe të tjerë që për shkaqe komerciale organizojnë këso panaire edhe ndërkombëtare,që marrin pjesë edhe kompanitë tjera jo shqiptare”, thotë ai.

Edhe Shahini këtë panair të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës e ka quajtur si ‘panair i kompanive të huaja’.

Sipas tij, fakti që Serbia ka rreth 400 milionë euro importe në Kosovë, tegon që kompanitë serbe nuk kanë fare nevojë për promovim në Kosovë.

“Serbia mbi 400 milionë ka importe në Kosovë dhe ajo edhe pa e promovu hiq në këtë ngjarje, ato e kanë tregun e Kosovës, shumë ma shumë se tregun e vendeve tjera. Mungon strategjia kombëtare e Kosovës por edhe e Shqipërisë” , ka thënë ai për Periskopi.

Shahini thotë se pjesëmarrja kaq e lartë e prodhuesve serb mund të jetë nxitur nga kompanitë e mëdha të Kosovës të cilat merren ekskluzivisht me importimin e produkteve serbe në Kosovë.

“Ne kemi shumë kompani të Kosovës të cilat ekskluzivisht merren me shitjen e prodhimeve të Serbisë dhe kjo ndikon drejtpërdrejtë në ardhjen e këtyre kompanive që vijnë në Kosovë, prandaj gjith ky organizim është ndikuar nga tregtarët që janë të lidhur me Serbinë. Kjo madje i ndihmon edhe deklarimeve të presidentit Vuçiq i cili pretendon që shkëmbimet tregtare në drejtim të Kosovës, t’i arrijë deri në 1 miliardë euro deri në vitin 2020, dhe kjo është një shancë e mirë, që ata të promovohen në Kosovë, dhe t’i arrijnë ato synime”, ka përfunduar Shahini për Periskopin.

Kryetari i Aleanës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini

E përfaqësuesi i vetëm i kompanisë shqiptare që ishte pjesëmarrës në këtë panair në një prononcim për Periskopin, ka treguar se pavarësisht faktit që janë kompania e vetme në ‘Panairin Ndërkombëtar Prishtina 2018’, janë shumë krenar që po marrin pjesë, por edhe në të njëjtën kohë të dëshpëruar me këtë fakt.

“Në radhë të parë jemi shumë krenar që po marrim pjesë. Megjithatë do të doja që numri i kompanive nga Shqipëria të ishte më i madh” ka deklaruar për Periskopin, përfaqësuesi i kompanisë “Dajti’ nga Shqipëria.

“Nuk e di, mbase Kosova e ka vlerësuar më mirë që në panair të marrin pjesë kompani nga Serbia, sesa nga Shqipëria” është shprehur ai për Periskopin.

E përveç faktit që kompania “Dajti” ishte e vetmja kompani nga Shqipëria në këtë panair, vendi se ku ishte rezervuar që kjo kompani të prezantonte produktet e veta të mjaltit, ishte në një qoshe të një objekti disa mijëra metra katror.

“ Edhe pozita ku na kanë vendosur tregon se disi na kanë mënjanuar. Ne nga Shqipëria themi, disa nga nëna, disa nga njerka, dhe si duket neve na kanë vendosur nga njerka, dhe na kanë lënë si fëmijët e njerkës”, ka deklaruar përfaqësuesi i kompanisë ‘Dajti’.

E pozita qendrore që u është dhënë kompanive serbe në panair, ai thotë se i bënë ato shumë më superiore krahasuar me kompanitë tjera prodhuese në panair.

Ai ka thënë se kjo qasje e organizimit të këtij panairi duhet të ndryshohet, dhe të bëhet më shumë edhe për Shqipërinë.

Pjesëmarrjen shumë të lartë të kompanive serbe në këtë panair e sheh si një konkurrencë shumë të madhe edhe pronari i kompanisë kosovare ‘ VDP- Technodrill’.

“Dihet që kompanitë serbe janë konkurrencë në Kosovë, sepse ka shumë produkte serbe që shiten në Kosovë. Ka qenë më e nevojshme që ne me prezntu diçka për ta, se sa ata për neve. Është konkurrencë në të gjitha aspektet” ka deklaruar ai.

Aktualisht Republika e Serbisë është një nga vendet prej ku Kosova importon më së shumti, ndërkohë bashkëpunimi tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë vazhdon të ngecë edhe përkundër faktit që qeveritë e dyja vendeve mbajnë takime dhe provojnë lehtësimin e barrierave tregtare.

 

SHARE