Tuesday , July 27 2021

Njësitë zgjedhore, ‘akuza për diskriminimin e shqiptarëve’

Pas shlyerjes së rreth 30 mijë votuesve, kryesisht shqiptarë, nga lista zgjedhore, një tjetër kontest ka ngritur dilema mbi rrjedhshmërinë dhe objektivitetin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të caktuara më 11 dhjetor.

Partitë politike nuk kanë arritur të merren vesh për shpërndarjen e numrit të votuesve nëpër gjashtë njësitë zgjedhore, aq sa ka Maqedonia, duke lënë kështu në fuqi zgjidhjen e deritanishme, e cila nga partitë shqiptare vlerësohet si diskriminuese në baza etnike.

Njësia e gjashtë zgjedhore, ku kryesisht gravitojnë shqiptarët, ka rreth 30 mijë votues më shumë se sa njësitë tjera dhe pavarësisht kësaj të gjitha japin numrin e njëjtë të deputetëve.

Partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare kanë kërkuar që ky numër i votuesve të kalojë në njësitë tjera për t’i dhënë peshë votës shqiptare që do të rezultonte me rritjen e mandateve në Kuvend.

Një kërkesë e tillë nga partitë maqedonase është injoruar. VMRO DPMNE-ja nuk ka marrë pjesë në asnjë takim të thirrur për të diskutuar çështjen e ngritur, kurse LSDM-ja nga ana tjetër ka thënë se qëndrimi i saj është që Maqedoni në vend të gjashtë njësive zgjedhore të ketë vetëm se një të tillë, me çka do të garantohej vota e çdo shtetasi.

“Mendoj se Kuvendi dhe institucionet tjera të cilat duhet të respektojnë ligjin duhet që të bëjnë harmonizimin rreth dallimit të numrit të votuesve në njësitë zgjedhore. Ne kemi pasur takime si grupe të punës, por dallimet mes partive politike janë shumë të mëdha dhe unë si koordinator i përfaqësuesve të partive politike kam kërkuar që mbi të gjitha të respektohet ligji”, ka deklaruar Rafis Haliti, nënkryetar i Kuvendit dhe kryetar i grupit të punës.

 

Njohësit e çështjeve juridike thonë se e drejta e votës është e garantuar me kushtetutë, andaj bëjnë thirrje jo vetëm për harmonizimin e çështjeve që kanë të bëjnë me njësitë zgjedhore, por edhe për kthimin e të drejtës së votës për shtetasit që iu hoq kjo e drejtë gjatë procesit të pastrimit të listës zgjedhore.

“Detyrimisht duhet të ndërmerren të gjitha veprimet konkrete në bazë të përgjegjësive që kanë në kuadër të institucioneve, me qëllim që në radhë të parë të harmonizohet numri i votuesve nëpër njësitë zgjedhore dhe të sqarohen të gjitha çështjet, që asnjë votues të mos mbetet jashtë listës zgjedhore, si një e drejtë themelore e çdo qytetari e garantuar me kushtetutë dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, thotë Jusuf Zejneli, ligjërues në fakultetin juridik të Universitetit të Tetovës.

Data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare duhet të zyrtarizohet më 12 tetor. Paraprakisht, deputetët duhet të votojnë shpërbërjen e Kuvendit. (REL)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *