Wednesday , April 21 2021

NJËSIA E 6 NË DUART E GRUPIT TË PUNËS (video)

Grupi punues i përbërë nga përfaqësuesit e katër partive më të mëdha politike, do të vendos se si do të zgjidhet disbalanci me njësinë e gjashtë zgjedhore. Grupin do ta udhëheqë nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Aliti, ndërsa partitë do të jenë të përfaqësuara nga shefat e grupeve parlamentare. Grupi punues së pari do ta shqyrtojë idenë e BDI-së, ndërsa pastaj do të shqyrtohen edhe idetë e partive të tjera politike.

“Me këtë disbalanc që ekziston ndërmjet njësive zgjedhore, shkelet ligji. Andaj detyra jonë si deputetë është që ta njoftojmë opinionin, madje edhe KSHZ-në se a do të intervenohet në Kodin zgjedhor, konkretisht të njoftojmë se cili do të jetë qëndrimi i grupeve parlamentare”, tha Rafiz Aliti.

Për shefin e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, problemi me Njësinë e gjashtë zgjedhore duhet të zgjidhet pa pengesa të mëdha. Ai thotë se në një shtet demokratik është normale të ndryshohen zonat zgjedhore.

“Nuk bëhet fjalë se cila njësi zgjedhore është e rregullt, e cila jo. Vetëm njësia e gjashtë zgjedhore është jashtë kufirit, i cili është i caktuar në Kodin Zgjedhor, edhe atë, siç ju thash bëhet fjalë për 1000 – 2000 votues. Shpresoj se kjo situatë simbolike do të zgjidhet në mënyrë të arsyeshme në kuvend”, tha Dimovski.

Partia Demokratike Shqiptare, do të kërkojë riorganizimin e tërësishëm të njësive zgjedhore, me qëllim që të bëhen të barabarta sa i përket numrit të votuesve. Nëse ky propozim pranohet, PDSH do të kërkojë të ndryshohet numri i deputetëve që zgjidhen në njësitë aktuale zgjedhore, në mënyrë që votat ta kenë vlerën e njëjtë. Megjithatë, shefi i grupit parlamentar të PDSH-së, thotë se formimi i grupit punues ka tjetër qëllim.

“Qëllimi i formimit të grupit punues në koordinim, sipas vlerësimit tim bëhet vetëm për të fituar kohë. Ata në fund do t’i votojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, njëjtë siç e bëjnë këtë me vite të tëra, pa konsensus dhe pa mbështetje nga ana e PDSH-së”, u shpreh Imer Aliu.

Nga LSDM-ja, thonë se pa e ditur propozimin e Bashkimit Demokratik për Integrim, nuk duan të komentojnë asgjë. Kuvendi sipas afatit të caktuar duhet të shpërbëhet më 12 tetor, që do të thotë se nuk ka mbetur as një muaj kohë për zgjidhjen e këtij problemi./TV21

https://youtu.be/W05xS31i_sE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *