Thursday , January 21 2021

Nishani-Thaçi: Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë është model për rajonin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij i Shqipërisë, Bujar Nishani, nga Tirana kanë dhënë mesazhet e forcimit të partneritetit mes dy vendeve, ndërsa e kanë konsideruar si të rëndësishëm rolin e dy vendeve për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë, transmeton Fakte.

Nishani dhe Thaçi kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat pas takimit të zhvilluar në selinë e Presidencës së Shqipërisë fillimisht kokë më kokë e më pas mes delegacioneve, ku janë ndalur në partneritetin mes dy vendeve, forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, mbështetjen e Shqipërisë për procesin e integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike, dhe në zhvillimet e brendshme në Kosovë.

Nishani e ka konsideruar të veçantë vizitën e Thaçit në Shqipëri, pasi është hera e parë që ai vjen si President i Republikës së Kosovës në një vizitë shtetërore.

“Përcollëm me emocion të veçantë atë se çfarë ka arritur Shqipëria dhe Kosova deri më tani, si në takimin dypalësh ashtu edhe në atë mes delegacioneve. Vlerësuam bashkëpunimin e deritanishëm ku një rol të veçantë kanë luajtur edhe takimet e përbashkëta të qeverive të të dy vendeve. Thaçi ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve edhe kur ai ishte në detyra të ndryshme të udhëheqjes së Kosovës. Përfshirja e ministrave të Bujqësisë dhe Infrastrukturës në delegacionet tona tregon interesin dhe impaktin e lidhjes së këtyre dy sektorëve në zhvillimet rajonale”, u shpreh Nishani.

Sipas tij një vëmendje të veçantë në takim i është kushtuar bashkëpunimit rajonal, ku dy vendet, u shpreh ai, kontribuojnë për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në Evropën Juglindore.

“Zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme dhe puna për të arritur marrëdhënie të mira mes Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në stabilitetin rajonal. E sigurova Thaçin se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën si në proceset integruese, ashtu edhe në të gjitha organizatat dhe nismat rajonale dhe ndërkombëtare. Shqipëria mbështet fuqishëm procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës”, ka shtuar më tej presidenti i Shqipërisë.

Ndërsa Thaçi e ka filluar fjalën e tij, duke falënderuar institucionet shqiptare për angazhimin e tyre për anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Ai ka theksuar se dy vendet janë në një rrugë të mbarë të bashkëpunimit dhe në këtë rrugë, sipas tij, dy vendet duhet të plotësojnë njëri-tjetrin sidomos në procesin e integrimit në institucionet euro-atlantike.

“Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërinë është model për rajonin. Marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë një rritje të madhe. Pas mbledhjeve qeveritare mes dy vendeve dhe bashkëpunimit të ngushtë të dy vendeve shkëmbimet tregtare kanë shkuar deri në 200 milionë dollarë. Kemi hyrë në një proces konsolidimi të shtetit të Kosovës. Jemi në rrugë të mbarë për anëtarësimin e vendit tonë në institucionet ndërkombëtare. Kosova është bërë pjesë e UEFA-s, FIFA-s dhe merr pjesë për herë të parë në eliminatoret e një botërori në futbolli”, ka deklaruar Thaçi.

Në lidhje me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, Thaçi ka theksuar se ai është i mendimit se kjo është një çështje politike e brendshme e Kosovës dhe se nuk duhet të jetë një pengesë për liberalizimin e vizave të qytetarëve të Kosovës. Sipas tij, miratimi i kësaj marrëveshjeje është në interes të shtetit të Kosovës.

“Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të thellojnë marrëdhëniet e tyre të shkëlqyera. Shqipëria vazhdon të mbetet destinacioni kryesor turistik për kosovarët. Do të vazhdojmë të mbështesim procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Bashkëpunimi është i shkëlqyer edhe me shqiptarët që jetojnë në Maqedoni”, u shpreh më tej presidenti i Kosovës.

Ai gjithashtu ka folur edhe në lidhje me arrestimin nga Policia e Serbisë e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, duke theksuar se nuk mund ti përgjigjen arrestimeve me arrestime dhe dhunës me dhunë.

Presidenti i Kosovës po sot do të takohet me Kryeministrin Edi Rama, me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, si dhe me liderin e opozitës dhe njëkohësisht kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipëri, Lulzim Basha. Nesër, presidenti i Kosovës do të takohet me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, si dhe do të realizojë disa takime të tjera./AA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *