Nga “Përzhino”, vetëm fshirja e shqiptarëve nga Lista zgjedhorë është realizuar

Kriza politike në vend po e kalon edhe vitin e dytë që nga fillimi i saj. Prej fillimit të projektit të partisë maqedonase opozitare LSDM të quajtur “E vërteta për Maqedoninë”, në të cilin u shpalosën publikisht vetëm një pjesë e vogël e përgjimeve telefonike, nga të cilat mund të konstatohej keqpërdorim i skajshëm i pushtetit, kaloi në disa faza të ndryshme me kalimin e kohës. shkruan Fakte. Pas më tepër kërcënimeve nga të dy palët (pozitë-opozitë) me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, u zhvilluan disa cikle negociatash për të dalë nga kriza, mes LSDM dhe VMRO, në të cilat BDI dhe PDSH ishin asgjë më tepër se dekor. Dhe këto bisedime rezultuan me Marrëveshjen e Përzhinos, që u arrit pas Raportit të ekspertit gjerman Rajnhart Pribe, për standardet që duhet Maqedonia t’i plotësojë.

Ndarje e partisë nga institucionet; pavarësim i plotë i institucioneve me akcent të veçantë në gjyqësorin dhe mediat; sundim i plotë i ligjit dhe drejtësisë që nënkupton përgjegjësi penale, morale e politike e të gjithë funksionarëve aktual dhe të mëhershëm që kanë shkelur mbi ligjet dhe kushtetutën; pastrim i listës zgjedhore nga votues fantom (që supozohet të jenë mbi 365 mijë) dhe garantim i pacënueshmërisë së provesit zgjedhor dhe i vetë votës.

Pas gjithë kësaj kohe negociatash dhe shtyrje të afateve, sot, pesë ditë para caktimit të datës përfundimtare për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare (më 11.12.2016), që do duhej të nënkuptonte dalje nga ngërçi politik dhe jo vetëm, në vend, çka mund të konstatohet?

Pa hyre në detajet e marrëveshjes dhe anekseve të saj, siç është çështja se a do mund ministri teknik i punëve të brendshme (që do të jetë nga LSDM) të ndrrojë 10 apo 15 eprorë para zgjedhjeve, mund të konstatohet se nga i gjithë ky “cirk” që u zhvillua më shumë se një vit e gjysëm, një çështje është zbatuar pjesërisht dhe një tjetër, e shtrembëruar skajshmërisht, është realizuar plotësisht.

Çështja e sundimit të ligjit dhe dhënies përgjegjësi nga kriminelët me “kollare të bardhë” u realizua pjesërisht pasi Prokuroria Speciale edhepse vazhdon të punojë, e shantazhuar nga të gjitha anët, e më së tepërmi nga qeveria, deri më tani nuk ka arritur të çojë deri në fund as edhe një rast të vetëm. Ky trend si duket edhe do të vazhdojë.

E vetmje “çështje” që u realizua plotësisht është fshirja e shqiptarëve nga Lista zgjedhore. Në vend se të fshihesin mbi 365 mijë votues fiktiv që në çdo cikël zgjedhor janë keqpërdorur për manipulime, kryesisht nga partitë maqedonase LSDM dhe VMRO, këto të dyja u morën vesh që nga Lista të largojnë mbi 171 mijë votues në listë të diasporës, dhe mbi 30 mijë tjerë t’i fshijnë tërësisht, në të dy rastet votues kryesisht shqiptarë. Kështu, nëse sipas regjistrimit të fundit zyrtar shqiptarët kanë pasur rreth 400 mijë votues, gati gjysma e tyre janë larguar nga Lista zgjedhore.

Edhe fusha e mediumeve në vend se të departizohet, të profesionalizohet, të mëvetësohet dhe të rregulloget qarkullimi i finansave nëpër mediume e posaçërisht në raport me pushtetin, LSDM arriti të futë anëtarë të saj në një “ad hoc” trup mbikqyrës, që nuk zgjidhë problemin në media, por e komplikon edhe më tepër. Partitë shqiptare, pjesëmarrëse në bisedime BDI dhe PDSH, kuptohet, nuk kishin asnjë ndikim. Madje as për caktimin e një anëtari të vetëm shqiptar në këtë trup, të cilin po e zgjedhin LSDM dhe VMRO.

A del Maedonia nga kriza nëse shqiptarëve ju pamundësohen të jetojnë dhe veprojnë në të?!

/FAKTE.Net-Analizë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *