Saturday , June 19 2021

Neziri: Maqedonia ka rrezik nga konflikti civil

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje  Ivanov, ka deklaruar se nuk do t’ia japë mandatin Zoran Zaevit për shkak se ai ka pranuar platformën shqiptare.

Këtë veprim analisti dhe gazetari Xhelal Neziri e sheh si të motivuar politikisht ngaqë VMRO-DPMNE ndihet e rrezikuar nga qeveria e re.

Sipas tij, pasojat e këtij vendimi do të jenë të rënda për të gjithë qytetarët, por edhe për vetë shtetin.

“Për herë të parë në historinë demokratike në Maqedoni është vënë në pikëpyetje tranzicioni paqësor i pushtetit. Kur ndodh kjo, është e pritshme që të ketë përshkallëzim të krizës”.

“Nëse nuk kemi një intervenim më të theksuar ndërkombëtar, vendi shumë shpejt mund të rrëshqasë drejt një konflikti civil. Kriza në Maqedoni zgjatë tani më dy vjet dhe tash, në vend të zgjidhjes, kemi një nxitje shtesë nga presidenti i shtetit”, ka thënë Neziri për klankosova.tv.

Ai ka thënë se VMRO-DPMNE  qëllimisht po e shtyn vendin drejt thellimit të krizës, përmes së cilës ka për qëllim që të shpëtojë politikanë nga hetimet për krim të organizuar dhe korrupsion nga ana e Prokurorisë Speciale në Shkup.

Ndërsa zhvillimet gjatë ditëve të ardhshme, sipas Nezirit, lidhen me formimin e kabinetit të ri qeverisës nga LSDM me partitë shqiptare, përderisa ai pret një presion më të madh ndërkombëtar.

“Nesër në Shkup vjen përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme Frederika Mogerini. Një trysni më e madhe ndërkombëtare pritet në ditët në vijim me qëllim të preventimit të një destabilizimit të mundshëm”.

“Si Plan B në Shkup mendohet të mblidhet Parlamenti, ku LSDM me partitë shqiptare ka shumicën parlamentare, të zgjidhet kryetari i parlamentit dhe të votohet mosbesim qeverisë kalimtare. Më pastaj të votohet edhe kabineti ri qeverisës dhe programi i tij. Kjo natyrisht do të nxitë VMRO-DPMNE-në edhe zyrtarisht t’u bashkëngjitet protestave që janë duke u mbajtur në tre ditët e kaluara kundër formimit të qeverisë se udhëhequr nga LSDM”, ka deklaruar Neziri, njofton Klan Kosova.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *