Thursday , February 25 2021

Ibrahimi: Beteja do të jetë e rëndë, por fitorja është e sigurt!

Në kuadër të intervistës “3 pyetje nga Mensur Krasniqi” të portalit Almakos, i intervistuari i rradhës ka qenë nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi. Ai në këtë intervistë ka folur mbi ligjin për dëshmitarët e mbrojtur i cili ka mbetur peng i mosvotimit të deputetëve VMRO-BDI nga frika që mos të zbardhet e vërteta për rastin “Monstra”, shtyerjen eventuale të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare, dhe rëndësinë e tyre për Lëvizjen Besa dhe shqiptarët në Maqedoni. Ibrahimi ka vlerësuar se do të jetë një betejë e rëndë, megjithatë fitorja e Lëvizjes BESA është e pashmangshme në këto zgjedhje.

Mensur Krasniqi: Për shqiptarët e Maqedonisë sikurse ka mbetur pikë në zemër zbardhja e rasteve të montuara mbi burgosjen e shqiptarëve të pafajshëm, në veçanti rasti “Monstra”. Nga ana tjetër jo më larg se para disa ditësh prokurorja speciale, Katica Janeva ka propozuar ligjin për dëshmitarët e mbrojtur që do ta lehtësonte dukshëm procesin e zbardhjes së këtij rasti, mirëpo kjo kërkesë hasi në veshin e shurdhër të deputetëve në pushtet, VMRO-BDI-së. PSE?

Zeqirija Ibrahimi: Mosmiratimi i ligjit për dëshmitarët e mbrojtur, që është një kërkesë e Prokurorisë Speciale Publike, është sabotimi më serioz që i bëhet punës së kësaj prokurorie. Dhe, kur kësaj ia shtojmë edhe faktin se edhe deputetët shqiptarë nuk bëzajnë për miratimin e këtij ligji, i bie të konstatojmë se ata ose 1) janë vetë të përfshirë në krime të thella dhe kanë drojë se miratimi i atij ligji e shton mundësinë që nesër ata të jenë prapa grilave ose 2) kanë drojë se ngritja e padive për rastet “Sopot” dhe “Monstra” mund të dalë e suksesshme dhe të dëshmohet, ashtu siç thotë Jankullovska në një përgjim, se “atyre aq u bën pse shqiptarët flenë në burg; ata e kanë dert rejtingun e tyre”.
Cilado që të jetë, ky është një lajm i keq jo vetëm për Prokurorinë Speciale Publike dhe, në përgjithësi, për drejtësinë në vend, por është lajm i keq edhe për të burgosurit dhe familjarët e të dënuarve në rastet e sipërpërmendura. Në këtë mënyrë deputetët e BDI-së po dëshmojnë se nuk duan të zbardhen ato raste dhe nuk duan që dënimi të kalojë te fajtorët e vërtetë. Dhe, kjo është e patolerueshme. Le që nuk i mbrojtën ata njerëz në kohën kur ata u dënuan në procese të montuara, por edhe sot – kur ata kanë mundësi ta fitojnë drejtësinë – këta deputetë përsëri janë në anën e naçallnikëve që i gjykuan dhe dënuan ata njerëz.
Megjithatë, duke qenë optimist, dua të shpresoj dhe të besoj se në mesin e tyre ende ka njerëz që kanë ndërgjegje dhe ndjenjë përgjegjësie, të cilët – përkundër dëshirës së lidershipit të tyre – së paku në fund të mandatit do të mund të dalin në anën e drejtësisë dhe interesave të shqiptarëve. Nëse me gjithçka do të mbahen mend për dështim dhe zhgënjim, ky është një rast që së paku fundin mos ta kenë të turpshëm.

Mensur Krasniqi: Cilat janë gjasat për shtyerjen eventuale të zgjedhjeve parlamentare pasi që LSDM akuzoi VMRO-BDI-në se po punojnë në këtë drejtim? Çka mendon Lëvizja BESA për këtë mundësi?

Zeqirija Ibrahimi:
Ndonëse ne e kemi kontestuar procesin zgjedhor, punën e KSHZ-së për fshirjen e votuesve shqiptarë dhe kemi ngritur alarmin se procesi zgjedhor mund të jetë një reprizë e zgjedhjeve të vitit 2014, përsëri – me qëllim që të bëhemi mjet në duar të shqiptarëve për ta rrënuar këtë të keqe që na ka kapluar neve si komb – kemi vendosur të marrim pjesë në zgjedhje. Besimin tonë e kemi mbështetur te bashkësia ndërkombëtare, e cila shpresojmë që kësaj radhe do ta pengojë vjedhjen e vullnetit të lirë të qytetarëve.
Andaj, kur kihet parasysh se këto zgjedhje janë mekanizmi i vetëm që kjo klasë politike të përfundojë dhe të fillojë të shkruhet një histori ndryshe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, e veçmas për shqiptarët, për neve është e rëndësishme që zgjedhjet të mbahen një ditë e më parë. Secila vonesë është humbje për shqiptarin e Maqedonisë, është frikë se mund të përsëriten raste si “Sopoti”, “Monstra” e “Kumanova”, ndërsa shtyrja e mundshme është edhe demotivim për votuesit, të cilët tashmë me shumicë po e braktisin Maqedoninë. Atë që dikur Pashiqi e Tito e bënin me elaborate për shpërngulje të dhunshme të shqiptarëve, sot çifti VMRO-BDI e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë me presione të këtilla, duke krijuar pesimizëm dhe dëshpërim se këtu nuk mund të bëhet më mirë.
Unë dua të besoj se megjithatë nuk janë të gjithë politikanët qeveritarë aq mendjelehtë sa të mos e kuptojnë se ashtu po e godasin rëndë të ardhmen e këtij shteti.
Në këtë drejtim, nuk mund të mos e përmend faktin se, për t’u shtyrë zgjedhjet, duhet që edhe partia shqiptare në pushtet të jetë në anën e VMRO-DPMNE-së. E, nëse edhe kësaj radhe ata dalin bashkë matanë, kjo i bie se kapja e tyre është përtej imagjinatës sonë dhe rrëzimi i tyre është bërë akti më i lartë patriotik në gjithë historinë e kombit shqiptar në Maqedoni.

Mensur Krasniqi: A mund të na thoni se çka konkretisht pret BESA nga zgjedhjet?

Zeqirija Ibrahimi: Lëvizja BESA, si parti relativisht e re në skenën politike shqiptare, tashmë e ndjen veten se e ka zënë hapësirën e saj në skenë dhe është etabluar si forcë politike pa të cilën nuk mund të bëhet asnjë matematikë në këtë shtet. Dhe, ta arrish këtë për më pak se dy vjet, duke pasur përballë politikanë që kanë (vjedhur) shumë para, që janë në gjendje të të vrasin për shkak të pushtetit të tyre dhe që politikën e kanë ekzistencë fizike dhe shpëtim nga burgu, është goxha vështirë. Por, edhe sukses.
Sidoqoftë, ne – duke pasur në konsideratë kërkesën e popullit shqiptar për alternativë tjetër, si dhe kërkesat për politikanë të rinj, pa bagazhe, pa skandale dhe profesionistë të fushës – gjatë këtyre dy viteve i kemi rënë kryq e tërthor Maqedonisë për t’i gjetur ata njerëz dhe mendojmë se lista e BESËS në këto zgjedhje do të jetë pikërisht ajo që e ka kërkuar qëmoti shqiptari i Maqedonisë.
Në të vërtetë, këto zgjedhje për shqiptarin e Maqedonisë nuk janë vetëm zgjedhje, por më shumë se kaq. Më 11 dhjetor shqiptari i Maqedonisë del në referendum për të ardhmen e tij. Ai duhet të zgjedhë mes subjektit që ia garanton aleancën me Gruevskin dhe subjektit që është në front kundër Gruevskit. Ky referendum do ta shtrojë para votuesit shqiptar dilemën “A dëshiron t’i përsëritet ‘Sopoti’, ‘Monstra’ dhe ‘Kumanova’ apo dëshiron që në këtë shtet askush më të mos guxojë t’i prekë me dorë shqiptarët?”. Do të jetë pastaj referendum edhe në pyetjet: “A doni t’u prijnë shqiptarë të ditur apo shqiptarë injorantë?”; “A doni t’u prijnë politikanë, prej skandaleve të të cilëve turpërohen edhe familjarët e tyre, apo njerëz me integritet kombëtar e moral?”; “A doni politikanë që janë argatë të popullit apo politikanë që janë argatë të Gruevskit?”. Dhe, unë jam shumë i sigurt se secili shqiptar i Maqedonisë i di mirë më këto përgjigje dhe prandaj jam thellë i bindur se këto zgjedhje një parti e dërgojnë në histori, shumë politikanë në burg, disa i kthejnë si hajdutë andej nga kanë ardhur dhe, përfundimisht, shqiptari i Maqedonisë mund të shpresojë se do të bëhet më mirë. Beteja do të jetë e rëndë, por fitorja është e sigurt. Fundja, fitoret më të bukura janë ato që arrihen në beteja të tilla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *