Saturday , June 19 2021

Në Çair nuk ka vende për shkolla të reja

Pavarësisht nevojës të madhe për shkolla të reja në Komunën e Çairit, nuk është bërë asnjë kërkesë deri tani për ndërtimin e objekteve të reja, shkruan gazeta Koha. Në kohën kur vazhdimisht flasim për rritjen e cilësisë, standardeve dhe kushteve për mësim, rreth 8 mijë nxënësit e shkollave fillore në këtë komunë mësojnë ende në kushte të jashtëzakonshme, me shkolla që punojnë në dy ndërrime, me klasa të mbingarkuara dhe në objekte të vjetra.

Në përjashtim të shkollave “7 Marsi” dhe “Kongresi i Manastirit”, të cilat u ndërtuan në vitin 2004, respektivisht 2009, gjithë shkollat tjera janë objekte të vjetar. Në Çair, komuna e vetme urbane shqiptare në Shkup, nuk është bërë deri tani ndonjë investim domethënës për përmirësimin e infrastrukturës arsimore. Për mungesë të objekteve shkollore, sivjet ka shkuar në 1400 numri i nxënëse në shkollën fillore “Ismail Qemali” në lagjen e Fushë Topanës. Pak më të relaksuar, sa i përket numrit të nxënësve, konsiderohen shkollat “Tefejuz” dhe “Jashar beu”, mirëpo edhe këtu, njëlloj si në të gjitha shkollat tjera, mësimi zhvillohet në dy ndërrime.

“Që të arrijmë standardin e shkollave tjera të Shkupi, ku mësimi zhvillohet në një ndërrim, duhet të ndërtohet për secilën shkollë edhe nga një objekt tjetër”, thotë për KOHA, Muzafer Rexhepi, përgjegjësi për shkollat fillore në Komunën e Çairit. Shkak është numri i madh i nxënësve dhe parë në këtë këndvështrim, jo që nuk pritet të zbutet situata, por do të përkeqësohet edhe më shumë. Për shkak të lëvizjeve të ndryshme demografike, Çairi është komunë me numër gjithnjë e më të madh të banorëve. Tendenca e rritjes së numrit të banorëve, e për rrjedhojë edhe e nxënësve, pritet të pësojë rritje edhe për shumë vite të ardhshme. Si përfundim, do të shkojë në rritje edhe numri i nxënësve në shtatë shkollat fillore të saj. Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) largojnë përgjegjësinë.

Çairi, vazhdon të jetë komunë në rritje sa u takon nxënësve të shkollave fillore. Nëse jo e vetmja në nivel shteti, për vitin shkollor 2016/2017, ka qenë ndër komunat e paktat që ka regjistruar nxënës më shumë sesa para një viti. Konkretisht, nga 7453 nxënës që numëronte në vitin shkollor 2015/2016, vitin shkollor 2016/2017 e nisi me 7735 nxënës, ose me 282 nxënës më shumë. Kjo do të thotë se për këtë vit, shkollat fillore të Çairit kanë shënuar një rritje prej 3.8 për qind në numrin e nxënësve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *