Në bastore dhe kazino sillen mbi 250 milion euro në vit

Në Maqedoni lulëzon biznesi me lojërat e fatit. Bastore sportive dhe lokale me poker aparate po mbijnë në çdo qoshe. Sipas statistikave zyrtare, në Maqedoni sillen mbi 350 milion euro në vit, raporton Fakte. Vetëm bastorja  “Sport Life Trade” ka paraqitur organeve shtetërore 65.3 milion euro hyrje vjetore. Vetëm 20 bastoret dhe kazinot më të mëdha kanë paraqitur qarkullim vjetor prej 238 milion euro. Vetëm për krahasim, distribuesi kryesor i derivateve të naftës “Makpetrol” ka qarkullim vjetor prej 300 milion euro, ndërsa operatori më i madh i telefonisë celulare dhe fikse “Telekomi i Maqedonisë” ka qarkullim vjetor prej 174 milion euro.

Bastorja e dytë sipas profitit, pas “Sport Life Trade” është bastorja “Zllatna Kopaçka”. Pronari i kësaj  kompanie vetëm vitin e kaluar ka inkasuar plot 56.7 milion euro profit, transmeton Fakte. Nëse krahasohet me një vit më parë, biznesi i kësaj bastore është rritur për 17.28%. Në vendin e tretë është kazinoja “Princess Hotel & Casino” me 27 milion euro profit të paraqitur. Kjo kazino është pjesë e zinxhirit të hoteleve “Princess” të biznesmenit turk Sudi Ozgan, ndërsa si pronarë paraqitet kompania “Irada” nga Lihtenshtajni. Pastaj në listë vijojnë: “Bet City Balkan” me 13.2 milion euro profit; kazino “Senator” me 12.5 milion euro profit dhe rritje prej 20%.

Në 20 kazinot dhe bastoret më të mëdha në vend janë të punësuar 4112 persona, sipas evidencës së organeve shtetërore, transmeton Fakte. Nga ato, më së tepërmi të punësuar ka “Sport Life Trade”, gjithsejt 748. Për krahasim, ky numër është dukshëm më i madh se numri i të punësuarve në eksportuesin më të madh në Maqedoni “Xhonson Meti” në zonën e lirë “Bunarxhik” me 550 të punësuar.

Ku është përfitimi i shtetit nga këto kompani bixhozi?

Për të marrë licencë për kazino nga Qeveria, një kompani duhet të ketë kapital bazë prej 2.5 milion euro, ndërsa vetëm për një hapësirë duhet t’i paguajeqeverisë 600.000 euro. Kompania që do të zbatojë dhe do të menaxhojë aparate për loja të fatit, duhet të deponojë depozit ose garancion bankar në shumë prej 300.000 euro. Pastaj, për çdo tavolinë për rulet duhet t’i paguajë shtetit taksë mujore 3000 euro, ndërsa për çdo tavolinë tjetër nga 1750 euro në muaj. Gjithashtu kompania është e obligueshme të sigurojë lidhje 24 orëshe me Drejtorinë për të hyra publike. Sipas evidencës së ministrisë së financave, në periudhën 2009-2015 janë dhënë 6 licenca për kazino dhe dhe 59 licenca për salone me poker aparate.

Për të hapur bastore, duhet të deponohen 500.000 euro më së paku. Licenca tre vjeçare kushton 105.000 euro, ndërsa garancioni bankar i kompanisë që zbaton lojëra fati në bastore duhet të jetë 300.000 euro, shkruan Fakte. Bastoret gjithashtu i japin 20% nga fitimi total në nivel shteti. Dmth, çdo muaj nga llogaritja e dallimit mes hyrjeve dhe daljeve në bastore, 20% shkon në buxhetin e shtetit.

Për licencë për të hapur automat klub duhet të paguhen 2.5 milion euro. Licenca jepet për 6 muaj dhe kushton 78.750 euro, ndërsa gjithashtu çdo muaj i japin shtetit nga 20% të fitimit total.

Në Maqedoni është sekret publik se partitë në pushtet nëpërmjet funksionarëve të ekzekutivit, reketojnë nga kazinot dhe bastoret çdo muaj qindra mijëra euro. Këto para përfundojnë në “fondet e zeza” partiake ose në xhepat e funksionarëve.

Sociologët shprehet skajshmërisht të shqetësuar për dukurinë epidemiologjike të bixhozit  në vendin tonë. Fëmijë që nga mosha e re mund të vërehen nëpër bastore, në vend se të vijojnë mësimet apo aktivitete sportive. Zakonisht, pa asnjë kriter, ato vendosen në qendër, në sheshe, afër shkollave etj.  Nivele të larta të bixhozit zakonisht ka në shoqëri dhe vende tjet të varfëra dhe me korrupcion të lartë në udhëheqje./FAKTE.Net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *