Thursday , February 25 2021

Në 45 komuna në Maqedoni nuk ka gjinekolog

Në 45 komuna në Maqedoni nuk ka ordinanca me gjinekolog amë, ndërkaq, në 20 komuna nuk ka numër të mjaftueshëm të gjinekologëve amë, ankohen nga Shoqata për emancipim, solidaritet dhe barazi të grave.

“Numri  i të vdekurave nga kanceri në qafën e mitrës në Maqedoni ka shënuar rritje. Prej 1,5 përqind  në 100 mijë gra në vitin 2011, është rritur në 4,1 përqind në vitin 2014. Në krahasim me normën e vdekjeve nga ky lloj kanceri në vendet e BE-së, ku ka programe mirë të organizuara për kontroll të detajuar dhe zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje, përqindja është 1,2 në 100 mijë gra”, u shpreh Borjan Pavllovski.

Darko Antiq, nga po e njëjta organizatë, ka vërejtje serioze karshi autoriteteve qendrore.
Kjo meqë, siç thotë ai, rishikimi i buxhetit për këtë vit, parasheh shkurtim të fondeve për programin e zbulimit të hershëm të sëmundjeve malinje për 4 milionë denarë.

“U bëjmë thirrje deputetëve të cilët janë zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë dhe Kuvendit të RM-së të mos i miratojnë propozimet për ndryshime dhe plotësimet e buxhetit për vitin 2016 derisa nuk tejkalohen këto probleme. Gjegjësisht, derisa nuk garantohet ushtrimi  i të drejtave themelore të qytetarëve për mbrojtje parandaluese”, tha Darko Antiq.

Organizata kërkoi nga qeveria t’i pranojnë masat e propozuara dhe të rrit buxhetin për kontrollin e detajuar të kancerit në qafën e mitrës, dhe që të ndërmerr masa ligjore me qëllim që të pamundësohen pagesat joligjore për shërbime gjinekologjike.

Ndërkaq në “programin për skrining” të parashihen edhe aktivitete për përfshirjen e grupeve të margjinalizuara të grave, me theks të veçantë gratë rome dhe te ato që janë nga zonat rurale.

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për shtyp, shkruan se në vazhdimësi zbaton kontrolle për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje, ku bën pjesë edhe kanceri në qafën e mitrës.

Për këtë ajo paraqiti edhe të dhëna, ku thotë se vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, kontrolle të tilla të detajuara, kanë kryer 7.380 gra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *