Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, me të cilët ka bashkëbiseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy popujve dhe shteteve, transmeton Fakte.
Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Kosovës bëhet e ditur se Thaçi ka vlerësuar lart rolin e Austrisë në procesin e pavarësimit dhe të shtetndërtimit të Kosovës.
“Në botë, Austria është një prej shteteve më përkrahëse për ne. Kurse, brenda vendit një kontribuuese shumë e madhe me investime në arsim, bujqësi e energjetikë. Shoqata e Miqësisë Austri-Kosovë është e re, por ajo i ka dhënë edhe më shumë frymë miqësisë sonë të vjetër me shekuj”, ka thënë Presidenti Thaçi.
Duke folur për procesin e integrimeve euroatlantike dhe mbështetjen që shteti austriak i ka dhënë Kosovës, Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova po vazhdon me sukses reformat në ekonomi, në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në sundimin e ligjit.
Ai duke theksuar se Kosova ka qenë shumë aktive kundër ekstremizmit fetar, radikalizmit dhe terrorizmit është shprehur se “Kemi nxjerrë ligjin që parandalon vajtjen e njerëzve në luftëra jashtë vendit. Gjithashtu, kemi qenë shumë të vendosur që njerëzit që kanë nxitur dhunë apo që promovojnë dhunë, urrejtje dhe që kanë shkuar në Siri e Irak, të ballafaqohen me drejtësinë”.
Ndërkaq, ai ka vlerësuar se tendenca e shtrirjes së ndikimit të Rusisë në rajon është një sfidë tjetër jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin.
Presidenti Thaçi gjithashtu ka folur për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka shtuar se “Do të mund të arrihet edhe një marrëveshje e fqinjësisë së mirë të bashkëpunimit, por edhe e pajtimit mes shteteve. Unë besoj se kjo marrëveshje mund të arrihet dhe do të arrihet”.