Thursday , April 22 2021

MUZEU I ALFABETIT I LËNË NË HARRESË, TANI KËRKOHEN IPA FONDE PËR RESTAURIMIN E OBJEKTIT

Edhe pse ishte premtuar para një viti, ende nuk është  restauruar objekti i Muzeut të Alfabetit në Manastir. Për këtë ishin zotuar ministrat e Arsimit të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, të cilit kishin firmosur marrëveshje që parashihte restaurimin e objektit të Shtëpisë Muze, transmeton Fakte.

Ministri i Arsimit i Kosovës, Arsim Bajrami para një viti ishte zotuar se qeveria e tij do të angazhohet për një projekt të përbashkët në ruajtjen e kësaj vlere kombëtare.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me atë të Maqedonisë dhe Shqipërisë, është e gatshme që të ndihmoj restaurimin e këtij objekti, në mënyrë që vërtetë ky objekt jo vetëm të konservohet, por të jetë një vend i takimeve të shpeshta kulturore e gjuhësore”, u shpreh Arsim Bajrami, Ministri i Arsimit të Kosovës.

Kurse, një vit pas kësaj marrëveshje, ministri Bajrami përgjigjet se përse ka munguar ndihma.

“Tani e dimë që Maqedonia është në një agjendë elektorale, por sa më shpejtë që të krijohen kushtet për mbajtjen e rregullt të mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive sepse kemi shumë për të biseduar. Si Ministri e Arsimit jemi të gatshëm që të ndajmë një fond në vitin 2017 për restaurimin dhe renovimin e plotë të kësaj shtëpie muze”, shtoi ministri Bajrami.

Drejtori i Muzeut të Alfabetit, Nuer Arsllani thotë se nga Ministria e Kulturës janë siguruar 7.9 milionë denarë për renovimin e brendshëm të objektit, ndërsa është në pritje të një projekti të përkrahur në kuadër të Programit të IPA Fondeve.

“Projekti i njëjtë ka kaluar në revizion tek Qendra për konservim nacional. Gjithashtu, që të jemi më të besueshëm në aplikimin tonë në IPA fondet, e kemi nxjerrë edhe lejen për konservim nga Ministria e Kulturës. Besojmë se ky projekt do të mbështet financiarisht dhe do ta rregullojmë muzeun ashti siç i ka hije”, tha Nuer Arsllani, Drejtori i Muzeut të alfabetit të gjuhës shqipe.

Nga Muzeu i Alfabetit thonë se para 22 nëntorit, kur do të shënohet 108 vjetori i Kongresit të Manastirit do të finalizohet rinovimi i hapësirave të brendshme. Në këtë përvjetor është planifikuar program i pasur kulturor./TV21

https://youtu.be/oR46-0QSVtk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *