Tuesday , June 22 2021

Mogherini: Kosova të ratifikojë demarkacionin, BE-ja liberalizon vizat (Video)

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, ka ripërsëritur mesazhin e Brukselit se demarkacioni me Malin e Zi mbetet kusht i pandryshuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Këto komente, Mogherini i ka bërë në Prishtinë, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Propozimi i Komisionit Evropian ishte shumë i qartë. Janë dy kushte, të cilat duhet të plotësohen para se të bëhet liberalizimi i vizave”, ka thënë Mogherini.

“Këto dy kushte janë që Kosova ta përmirësojë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku ka përparime, dhe kushti i dytë është ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ku që nga vizita e ime e fundit vitin e kaluar, nuk ka pasur përparime”, ka thënë Mogherini.

“Nëse Kuvendi e voton demarkacionin, ne, BE-ja do të lëvizë shumë shpejt në procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë ajo

“Është koha e fundit ta ratifikoni Marrëveshjen me Malin e Zi dhe kjo do ta zhbllokojë liberalizimin e vizave. Ky vendim është në duart e Kuvendit të Kosovës”, ka shtuar Mogherini.

Ajo u ka bërë thirrje partive politike që ta kenë të qartë se kur është fjala për interesat e popullit, siç është liberalizimi i vizave, ato duhet ta tejkalojnë debatin ndërpartiak dhe të gjejnë rrugën përpara.

“Besoj që partitë të gjejnë një formë pajtimi dhe ta ratifikojnë këtë marrëveshje. Populli i Kosovës e dëshiron liberalizimin dhe nuk e meriton mungesën e konsensusit për liberalizimin”, është shprehur zyrtarja e lartë e BE-së.

Tutje, Mogherini ka përshëndetur angazhimin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Ajo ka thënë se dialogu mbetet formë e pazëvendësueshme për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka kërkuar ndihmën politike Mogherinit dhe Bashkimit Evropian për të shtrirë ndikimin tek opozita që ta mbështesë demarkacionin me Malin e Zi. Njëherësh ka kërkuar edhe shtimin e presioneve politike mbi përfaqësuesit serbë, që të kthehen në institucione.

Kemi kërkuar ndihmën e Mogherinit që t’i kalojmë pengesat e krijuara me ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me malin e Zi”, ka deklaruar ai.

Mustafa ka thënë se te kriteri i dytë, që ka të bëjë me luftimin e krimit dhe korrupsionit, Kosova ka shënuar përparime të dukshme.

“Kosova është e përcaktuar në rrugën e saj evropiane”, ka thënë Mustafa, duke shprehur bindjen se një ditë edhe Kosova do të jetë shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Sa i përket dialogut me Serbinë, ai ka ritheksuar se mbetet i përkushtuar që ky proces të vazhdojë.

Ne e shohim dialogun me vendet fqinje, edhe me Serbinë si alternativë të pazëvendësueshme për normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimin e proceseve në Ballkan dhe Evropë, pavarësisht disa kundërshtimeve që i kemi nga opozita”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri Mustafa ka bërë të ditur se ka kërkuar mbështetjen e Brukselit që proceset të ecin më shpejt, duke përfshirë edhe kërkesën e BE-së drejtuar Beogradit që të ndalë ndikimin te përfaqësuesit serbë, në mënyrë që ata të kthehen në institucionet e Kosovës.

Në anën tjetër, Mogherini ka deklaruar se kjo nuk ishte vetëm një vizitë e radhës në Ballkan, territor ky që po u ekspozohet tensioneve.

“Është me rëndësi që të sjellim këtu, në rajon, mesazhin e BE-së, që të vazhdoni drejt rrugës evropiane. Ky mesazh vlen për gjithë rajonin, pra edhe për Kosovën”.

“Kosova duhet të vazhdojë shtegtimin evropian, kurse BE-ja duhet ta mbështesë këtë rrugëtim”, ka thënë Mogherini.

Paraprakisht, Mogherini ka takuar ndaras në Prishtinë, presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Kabineti i presidentit të Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka njoftuar se Thaçi ka vlerësuar se vizita e Mogherinit vjen në një moment më të mirë për Kosovën dhe rajonin.

“Kemi sfida të ndryshme, por prioritete të njëjta”, është shprehur presidenti Thaçi, duke shtuar se është e rëndësishme që BE-ja të mbështesë tërë rajonin në aspiratën e vet për t’u bërë pjesë e saj.

Kurse, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nëpërmjet një komunikate ka konfirmuar se temë qëndrore e takimit ka qenë çështja e marrëveshjes për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Me këtë rast, kryeparlamentari Veseli ka ritheksuar qëndrimin e vazhdueshëm të Kuvendit të Kosovës që sapo të vijë marrëveshja e shënjimit të kufirit nga Qeveria, ajo do të procedohet në seancë.

“Qytetarët e Kosovës janë gjeografikisht, politikisht, kulturalisht pjesë Evropës. Prandaj, ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona ndaj Bashkimit Evropian si institucione dhe si popull”, ka thënë Veseli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *