Thursday , April 22 2021

Mobilizim kuqezi për Shkëndijën

Stadiumi “Filipi i Dytë” në Shkup do të vishet kuqezi të enjten. Kjo arenë do të jetë nikoqire e ndeshjes më të madhe në historinë e deritanishme të Shkëndijës. Skuadra e madhe shqiptare nga Maqedonia do ta presë Gentin, në ndeshjen kthyese të “Play-Off-it” për Europa League, transmeton Fakte.

Belgët para një jave e kanë fituar ndeshjen e parë si vendas me rezultat të ngushtë, 2:1. Shqiptarët patën paraqitje shumë të mirë dhe kjo ka bërë që Shkëndija dhe tifozët e saj shqiptarë ta presin ndeshjen kthyese me besim të madh se do t’ia dalin ta përmbysin disavantazhin dhe të kualifikohen për herë të parë në fazën e grupeve të Europa Leagues.

Zëri shkruan se klubi kuqezi viteve të fundit është rritur, është bërë evropian, falë investimeve dhe menaxhimit superior nga kompania gjigante shqiptare, “Ecolog” dhe pronari i saj, Lazim Destani.

Biznesmeni i njohur shqiptar e ëndërron qe shumë vite pjesëmarrjen e Shkëndijës në Europa League, sikurse çdo tifoz tjetër shqiptar në Maqedoni, të cilët krenohen me Shkëndijën, e cila është duke e marrë primatin në futbollin e shtetit fqinj.

Për ta kënaqur çdo shqiptar, Destani u ka ofruar premi të majme futbollistëve, në mënyrë që t’ua shtojë akoma më shumë dëshirën e vullnetin për ta mposhtur ekipin belg. Shkëndija nuk ka qenë asnjëherë më afër pjesëmarrjes në një garë të madhe evropiane.

Por, klubi kuqezi ka shprehur nevojë edhe për përkrahje sa më të madhe të tifozëve. Shkëndija i ka zbritur çmimet e biletave, duke i ftuar tifozët shqiptarë nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria që të bashkohen në Shkup për t’i ndihmuar Shkëndijës, klubit më efikas dhe më të pastër aktualisht në Evropë.

Çmimi i një bilete do të kushtojë më pak se 2 euro, ndërsa është vërejtur edhe interesimi i madh i tifozëve për t’i dalë në ndihmë Shkëndijës. Futbollistët e saj kanë shprehur vetëbesim të madh se do t’ia dalin ta mposhtin Gentin dhe ta kalojnë atë. Kuqezinjtë janë duke menduar vetëm për tifozë, me shpresën që të kenë sa më shumë pranë vetes. Ndeshja ndërmjet Shkëndijës dhe Gentit do të fillojë prej orës 20:00./Zëri

Image

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *