Wednesday , March 3 2021

MO në Marrëveshjen Përzhino II është absurde, irelevante, injorancë politike

Marrëveshja Kornizë e Ohrit është një nga reformat e caktuara në Marrëveshjen më të re të arritur mes përfaqësuesve të katër partive më të mëdha në vend, me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar. Por për Portalb përfaqësuesit e partive shqiptare opozitare deklaruan se vendosja e MO-së në listën e reformave derisa e njëjta është pjesë e Kushtetutës së vendit është absurde, irelevante, injorancë politike. Ata njëherit akuzojnë përfaqësuesit e dy partive shqiptare parlamentare që për 15 vite nuk arritën ta realizojnë marrëveshjen e cila para së gjithash e ndali konfliktin e armatosur dhe u arrit poashtu me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar.

“MO e arritur në vitin 2001 ndërmjet partive parlamentare shqiptare dhe atyre maqedonase me qëllim që të ndërpritet konflikti i armatosur ndërmjet dy etnive kryesore në Maqedoni duhej të kishte qenë e implementuar komplet qysh në fund të vitit 2004-kujtoi Arben Taravari nga LR-PDSH, sipas të cilit garantuesit (SHBA dhe BE) tani po e imponojnë realizimin e marrëveshjes, për mos-realizimin e së cilës akuzon dy partitë shqiptare parlamentare.

Arben Taravari

Arben Taravari, LR-PDSH

Normal që të gjithë e përkrahnim këtë marveshje sepse pas saj, si garancë, qëndronin miqtë tanë. Por binomi Ahmeti-Thaçi si përfaqësues të dy partive parlamentare shqiptare në asnjë moment brenda këtyre viteve nuk e kushtëzuan palën maqedonase (LSDM dhe VMRO) që pjesmarja e tyre në Qeverinë e Maqedonisë është e pamundshme pa realizimin e plotë të MO-së ose me kushtëzim se ajo duhet tërevidohet dhe të adaptohet në rrethanat e reja të krijuara në Maqedoni dhe në regjion. Dy vazalët shqiptarë që udhëheqin partitë politike shqiptare në Maqedoni dhe të cilët janë përfundimisht të harxhuar jo vetëm si politikan, po edhe si njerëz, nuk mundën në këtë periudhë 15 vjeçare (gjithnje flas ne periudhën pas MO) politikisht të krijojnë hapsirë për kërkesa të reja, që korespondojnë me realitetin tonë si etni në Maqedoni dhe si faktor i rëndësishëm ne rajon (duke e pasur parasysh Shqipërinë dhe Kosovën)-theksoi Taravari, “Në teatrin politik që e zhvillonin binomi i lartëpërmendur, përveç sharjeve, fyerjeve dhe ofendimeve të ndërsjellta nuk u realizuan kërkesat e shqiptarëve të përcaktuara me MO e lëre më kërkesa të reja.”

Normalisht faktori ndërkombëtar me vëmendje të madhe e ndjek politikën e shqiptarëve këtu, madje ato janë shumë racional dhe në momentin që ato e konstatojnë se egziston një sterilitet i skajshëm politik e imponon një marveshje të vjetër që ka mbetur e parealizuar. Sipas meje, faktori ndërkombëtar nuk mund të na ofron diçka që ne nuk e kërkojmë, në mungesë te ofertës politike ato ta imponojnë një agjendë-marveshje (në këtë rast MO) të tyre të parealizuar”-tha Taravari.

Sipas Muhamed Ismailit, të flasësh për zbatimin e MO-së është injorancë politike pasi e njëjta është pjesë e Kushtetutës e rrjedhimisht mos-realizimi i MO-së paraqet njëherit shkelje të Kushtetutës. Për këtë absurditet edhe ky si Taravari i akuzon liderët e partive parlamentare.

Muhamed Ismaili

Muhamed Ismaili, UNITETI

“Marrëveshja paqësore e Ohrit në pjesën e saj më të madhë ka kaluar në Kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë. Në Aneksin C ishin paraparë edhe afatizimet. Edhepse pas vitit 2001 filloi zbatimi i normave legjislative që ishin rezultat i luftës dhe i marrëveshjes, udhëheqësit shqiptarë në Qeverinë e vendit tonë, lejuan shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve kur bëhej fjalë për avansimin e të drejtave të shqiptarëve. Kjo kryesisht për shkak të interesave të një klike të korruptuar dhe të paaftë në pushtet”-tha Ismaili, “Të flasësh sot për zbatimin e MO-së, duhet të jesh hipokrit dhe injorant politik, por edhe analfabet juridik. Edhe ato pak të drejta që në praktikë shqiptarët fituan nga MO, u keqpërdorën për partizim korruptiv të institucioneve, ndërkohë që gjendja e shqiptarëve në përgjithësi u përkeqësua tej mase, në të gjitha sferat. Zbatimi i MO-së dhe integrimi i vendit në NATO dhe BE po vazhdojnë të shfrytëzohen për të blerë kohë në qeverisje dhe për të mashtruar qytetarët shqiptarë.”

Sipas Afrim Gashit kjo që ndodh është absurde, ndërkohë që qëndrimi i Lëvizjes BESA rreth bisedimeve dhe marrëveshjeve të Përzhinës është i qartë dhe konsekuent, “Ata që e sollën vendin në këtë krizë nuk mund ta nxjerrin vendin nga e njëjta.”

Afrim Gashi

Afrim Gashi, BESA

“Vlerësimet dhe vërejtjet tona kanë qenë parimore ndërsa sa i përket vërejtjeve në pika të caktuara ato janë të panumërta. Kjo, gjithashtu vlen edhe për pikën ku flitet për implementim të Marrëveshjes së Ohrit. Çfarë absurdi, të gjitha këto parti politike kanë qenë pjesë e qeverive të ndryshme që nga viti 2001 kur u nënshkrua kjo marrëveshje dhe pikërisht këto parti, të gjitha së bashku, janë fajtore për mosimplementimin e saj! Prandaj, si mund të shpresojmë se tash janë mbushur mend dhe janë bindur se po duheshka të implementohet kjo Marrëveshje?! Aq më tepër që kjo Marrëveshje tashmë 15 vite është pjesë integrale e Kushtetutës së vendit”-u shpreh Gashi për Portalb, “Në momentin kur këto parti gjatë negociatave në Përzhinë, kanë pranuar të futet edhe kjo pikë në marrëveshjen e fundit, i bie se e kanë pranuar fajin se deri tash e kanë thyer Kushtetutën e vendit kur nuk kanë dashur ta implementojnë në praktikë.”

“Në fund të fundit, elitat aktuale politike nuk ia vlen as për t’i analizuar për veprimet që i bëjnë, kur e sheh njeriu se deri në çfarë mase e kanë shkatërruar popullin e vet dhe vendin. E mira e vetme që këto elita mund ta bëjnë është të ulin kokat, të kërkojnë falje dhe të ikin nga politika.”-shtoi Gashi.

Faton Aliti theksoi për Portalb se kjo e fundit është vetëm edhe një protokol i Maqëveshjes së Përzhinos, si rezultat i dështimit të implementimit të marëveshjes për të ardhur deri tek mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Faktori shqiptar gjatë bisedimeve ishte thjeshtë dekor, ndërsa nevoja e skenimit detal të implementimit të MO-së u theksua vetëm në kuadër të Raportit të Pribes. Përndryshe sipas tij, Maqedonia duhet të ribëhet me një koncept të ri juridiko-politik.

Faton Aliti

Faton Aliti, PPD

“Është e njohur se MO si akt politik është e inkorporuar në amandamente kushtetuese të cilat ndryshime kushtetuese fatkeqësisht nga establishmenti politik maqedonas interpretohen me frymë rigide dhe kështu që zbatimi i saj është i degraduar. Pastaj miratohen ligje të cilët përsëri demokracinë dhe barazinë e shqiptarëve e vënë si çështje diskutabile. Madje duhet pranuar se në një farë forme edhe kapaciteti implementues i faktorit shqiptarë ka qenë diskutabil. Thënë shkurt, në negociatat e Përzhinos fare nuk është biseduar për statusin e shqiptarëve, por thjeshtë faktori shqiptarë ka shërbyer vetëm si dekor për amortizimin e kundërshtimeve ekstreme në bllokun maqedonas të cilët faktorë pa hezitim në çdo moment i kanë shërbyer Vmro-Dpmne-së, që kjo parti dhe këta partnerë të stërzgjatin nevojën e domosdoshme që protagonistët e krimit dhe shpërdorimit të dalin para drejtësisë-tha Aliti përPortalb.mk, Pra MO tani më është vetëm një akt politik e historik që ndërpreu konfliktin,por si e shkrirë në kushtetutë nuk gjeti zbatimin e plotë por të pjesërishëm. Krejt ky rigiditet në kokat e politikanëve maqedonas të sjell në përfundim se Maqedonia detyrimisht duhet të ribëhet me një koncept të ri juridiko-politik.

Për Vesel Memedin vendi po përballet me shkelje të rënda të kushtetutshmërisë, ndërsa vetë përcaktimi i MO-së si reformë dhe jo vendosja e saj në tekstin e Marrëveshjes së Përzhinos  të vitit të kaluar dëshmon pafuqinë e përfaqësuesve të popullit shqiptarë.

Vesel Memedi

Vesel Memedi, RDK

Maqedonia në kontinuitet ballafaqohet me shkelje të rënda të kushtetutës së vendit, dhe dobësim të jashtëzakonshëm të institucioneve të shtetit, e mos të flasim për Marrëveshjen e Ohrit, dhe së fundmi Marrëveshjen e Përzhinës. Shkeljet e kësaj natyre, të qëllimshme apo jo, mesiguri do të rezultojnë në ndryshimin e Kushtetutës së vendit, dhe një fillim të mbarë për rindërtimin e këtij shteti. Për këtë arsye, është irrelevante fakti se si është pozicionuar Marrëveshja e Ohrit mbrenda kornizave të fundit të Marrëveshjes së Përzhinës”-deklaroi Memedi për Portalb.mk, Nga ana tjetër, pozicionimi i Marrëveshjes së Ohrit në pikën e rendit të ditës të ndryshme, edhe ate me akronimin OFA, dhe jo emrin e plotë (Ohrid Framework Agreement), është një argument i fuqishëm për pafuqinë e aktorëve politik shqiptarë në hartimin e Marrëveshjes së Përzhinës. Nëse kësaj i shtojmë edhe faktin se Marrëveshja e Ohrit aspak nuk përmendet në Marrëveshjen origjinale të Përzhinës të vitit të kaluar, por vetëm në Përzhinën 2, edhe ate si reformë si shumë reforma tjera, atëherë do ta kemi edhe më qartë rolin e përfaqësuesve shqiptarë.

Për çështjen në fjalë Portalb kontaktoi edhe Bekim Fazliun e Imer Aliun e PDSH-së, por nuk u prononcuan./Portalb.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *