Wednesday , December 12 2018

Meta në Mal të Zi: Pakicat kombëtare pasuri, vendet tona shembull për të drejtat e tyre në rajon

Presidenti i Republikës, Ilir meta gjatë vizitës së tij në Mal të Zi është takuar me Kryetarin e Kuvendit të Komunës Rozhajë Amir Avdiç, ku kanë diskutuar në lidhje me marrëdhëniet e dy vendeve, percjell Fakte.

Në fjalën e tij Avdiç theksoi se, vizita e presidentit Meta për banorët e Komunës së Rozhajës, është dëshmi e qartë e marrëdhënieve historike e tradicionale, tepër të mira midis shqiptarëve dhe malazezëve.

Ndërsa nga ana tjetër kreu i shtetit Meta, pasi falënderoi autoritetet qendrore e vendore si edhe banorët për pritjen e ngrohtë, shprehu kënaqësinë që viziton për herë të parë Komunën e Rozhajës.

 

“Jam shumë i lumtur që vij në Rozhajë për herë të parë dhe të ndaj së bashku me ju gëzimin për miqësinë që ekziston midis dy popujve dhe vende tona. Pakicat kombëtare janë një pasuri e madhe, një vlerë e shtuar për të gjithë ne dhe më vjen mirë që dy vendet tona janë një shembull i respektimit të të drejtave të tyre në rajon.  Bashkëjetesa dhe fqinjësia mes shqiptarëve e malazezëve, si në Shqipëri e Mal të Zi, por edhe në Kosovë, është një udhërrëfyes i mirë për bashkëjetesën me pakicat e minoritetet kombëtare në Ballkan. Shqiptarët në Mal të Zi kanë një kontribut të jashtëzakonshëm për këtë shtet, veçanërisht për Pavarësinë e tij si dhe për proceset integruese të Malit të Zi në familjen euro-atlantike dhe kjo është një arsye që na bën krenarë”.

 

Zv/kryeministri i Malit të Zi, Rafet Husoviç, i pranishëm në takim, pasi vlerësoi kontributin e Presidentit Meta për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, theksoi se “më vjen mirë të pohoj se fara e mirë e mbjellë e harmonisë e bashkëjetesës mes shqiptarëve e malazezëve do të lulëzojë edhe më shumë në të ardhmen”./V+

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.