Mesazhi i kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi për Kurban Bajram

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi, në mesazhin e tij të urimit me rastin e festës së Kurban Bajramit, porositi që besimtarët të tejkalojnë inatet dhe armiqësitë, t’i zgjasin dorën njëri-tjetrit, si dhe të zgjasin dorën e ndihmës duke begatuar sofrën e të varfërve.

Rexhepi theksoi se me këto kushte përmbushen porositë e Allahut Fuqiplotë. Ai mes tjerash falënderoi Krijuesin e Gjithësisë që na mundësoi që edhe sivjet ta presim festën më të vjetër të njerëzimit “Kurban Bajramin”, festë e cila siç theksoi ai, shënon devotshmërinë e njerëzimit ndaj të Madhit Allah që nga krijimi e këtej.

“Veprat e mira, dashuria e sinqertë, harmonia dhe bamirësia janë ndër gjërat më të rëndësishme që i do dhe që i kërkon Allahu i Plotëmëshirshëm prej besimtarëve. Ky është islami dhe vetëm këtë islam duhet ta përqafojmë dhe ta përcjellim. Çdo besimtar i devotshëm në këtë tokë është i ngarkuar me mision shumë fisnik – të rrezatojë vetëm dashuri, përmes të cilës hapen të gjitha shtigjet e qasjeve humane”, tha Rexhepi.

Rexhepi në fund të mesazhit të tij theksoi se sot e përjetë, përmes aktit të bamirësis shprehet dashuria njerëzore, ndërsa bamirësia institucionale shpreh unitetin, solidaritetin dhe dashurinë ndaj njëri-tjetrit./Portalb

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *