Thursday , August 5 2021

Maqedonia shkon në Nju Jork me “Ilindenin”

Në prag të raundit të nesërm të negociatave mes kryediplomatëve Nikolla Dimitrov dhe atij grek Nikos Kocias dhe ndërmjetësit të OKB-së për emrin, Metju Nimic Qeveria mbetet në propozimin “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”. Zëdhënësi, Mile Boshnjakovski thekson se ky propozim reflekton multi-etnicitetin e vendit dhe si i tillë paraqet hapë të mirë drejt zgjidhjes së kontestit shumëvjeçar me Greqinë, përcjell Fakte.

Qëndrimin e Qeverisë e përcollën edhe Kryeministri, Zv/kryeministrja, Radmilla Shekerinska edhe Ministri i Punëve të Jashtme. Mbetemi në të njëjtin qëndrim. Vlerësojmë se propozimi i dhënë nga ana jonë, pas takimit të liderëve reflekton të gjitha aspektet që janë të nevojshme për mbrojtjen e identitetit të popullit maqedonas dhe pjesët tjera që e reflektojnë Maqedoninë si shtet multi-etnik. Vlerësojmë se është propozim i mirë për zgjidhje përfundimtare – deklaroi zëdhënës i Qeverisë Mile Boshnjakovski. 

Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocias i cili po qëndron në SHBA takoi këshilltarin e Presidentit Donald Trump, Xhon Bolton dhe zyrtarë të tjerë të shtetit amerikan. Pas çka tha se SHBA-të janë të interesuara për zgjidhjen e kontestit.

Diskutuam si dhe kah shkon Shkupi. Nuk kemi presion për Shkupin dhe asnjëherë nuk do të pranoja të na bënin presion. Por ato janë shumë të interesuar për zgjidhje dhe mundohen të kuptojnë se ku është marrëveshja dhe cilat janë pikat e vështira – tha Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë

Kocias sqaroi se paralelisht me negociatat mes ministrave dhe ndërmjetësit, në Nju Jork do të takohen edhe grupet e punës ashtu siç u takuan në Vjenë dhe Athinë. Kocias shtoi se dokumenti i harmonizuar nga versioni i palës greke dhe ai i Nimicit përmban dy pjesë. Pjesa e parë i dedikohet zgjidhjes së kontestit, dhënies fund irredentizmit dhe njohjes së kufijve, ndërsa e dyta i dedikohet partneritetit të ardhshëm greko-maqedonas në sferën e arsimit, hulumtimit dhe ngjashëm. Ndërkohë zv/ministri i jashtëm, Jorgos Katrugalos pyetjes nëse Athina e ka refuzuar propozimin “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” iu përgjigj në mënyrë të tërthortë. Ai tha se emri duhet të përmbush dy kritere: ta bëjë ndarjen e Maqedonisë historike nga shteti fqinj dhe të mos përmbajë elemente irredentiste. Gjithsesi për opozitën greke për të cilën Ilindeni nënkupton aspiratat për Maqedoni të Madhe, është e pakuptimtë se si Qeveria greke ka pranuar të bisedojë për një gjë të tillë. Reagime të opozitës ka nxitur edhe deklarata e partnerit të koalicionit qeveritar dhe njëherit Ministrit të Mbrojtjes, Panos Kamenos se zgjidhje nuk do të ketë dhe se partia e tij nuk pranon asnjë zgjidhje që do të përmbajë termin “Maqedoni”./AlsatM

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *