Thursday , April 22 2021

Maqedonia larg BE-së, Ahmeti larg premtimeve (video)

Integrimi i vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian është një nga pikat kryesore të platformës së BDI-së për këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, ashtu siç ishte “kryefjala e mandateve të deritanishme” të kësaj partie. Megjithatë, Maqedonia është më larg se kurrë eu-integrimit dhe premtimet e tilla mbeten vetëm brenda kornizave të marketingut parazgjedhor që BDI-ja pa vetëdije i bën, thonë ekspertët për Portalb.

“Dhe përfundimisht ne orientim të përhershëm e kemi patur anëtarësimin e vendit në NATO. Anëtarësimi i vendit në NATO nuk është në dobi vetëm të Republikës së Maqedonisë, por është në dobi të tërë rajonit, është në dobi të paqes, stabilitetit edhe të Evropës po edhe stabilitetit në përgjithësi në plan global. Prandaj vendi ynë, vendin e ka në NATO dhe ne nuk duhet të hezitojmë dhe për gjithçka që ka zgjidhje, siç është çështja e emrit sigurisht që një kompromis duhet patur… sigurisht që një kompromis edhe duhet bërë. Fundi fundit në hasmëri shekullore me fqinj nuk mund të jetohet! Prandaj BDI në vazhdimësi edhe ka sakrifikuar në vazhdimësi edhe ka rrezikuar si forcë politike duke bërë përpjekje për menaxhim, duke bërë përpjekje për afrim e mirëkuptim deri në zgjidhjen përfundimtare të shumë problemeve që e tangojnë jo vetëm vendin tonë, por edhe tërë rajonin.”-tha të dielën kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në tubimin e mbajtur në Çair të Shkupit.

Në videon e bashkëngjitur Portalb ju rikujton dhe deklaratat e mëparshme të kreut të BDI-së për çështjen në fjalë:

Por analistët vlerësojnë se ndryshe nga premtimet e vazhdueshme të BDI-së, Maqedonia nuk ka qenë asnjëherë më parë më larg integrimit në BE. Për Portalb ata thanë se BDI ka dështuar në përcaktimin e saj dhe se do t’i humb votuesit e lirë.

LEXO: Maqedonia më larg se kurrë EU-integrimit, BDI rrezikon të mbetet në histori

Neziri: Me pjesëmarrjen në qeveri BDi ka përligjur politikat anti-integruese

“BDI ka dështuar në përcaktimin e saj për integrimin e vendit në BE, por edhe në NATO. Integrimi evropian sot është më larg se asnjëherë më parë. Korrupsioni, kriza e demokracisë dhe shkelja e të drejtave të njeriut kanë kthyer mbrapa vendin në rrugën e integrimit.”-deklaroi për PortalbXhelal Neziri“Për këtë regres patjetër se edhe BDi ka përgjegjësi, pasi me pjesëmarrjen në qeveri ka kontribuar dhe ka përligjë politikat anti-integruese dhe jodemokratike.”

Demiri: BDI do të jetë një e kaluar në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoni

“Premtimet e BDI-së për anëtarësim në BE dhe NATO kanë qenë një frazë, që as ata vetë nuk e kanë kuptuar dhe asnjëherë nuk kanë bërë që diçka të ndodh në këtë drejtim. Kjo d.m.th. se ishte një frazë marketingu të cilën ata në mënyrë të pakuptimtë, në mungesë të ofertave politike e përdorën.”-tha Alajdin Demiri“Sot kur Maqedonia është më larg se kurrë ndoshta edhe i mbyll dyert definitivisht për anëtarësi në BE, BDI sërish do të vazhdojë me të njëjtat premtime. Besoj se nuk është e vetëdijshme për pozitën e saj.”

Në pyetjen se si do të reflektohet kjo tek elektorati, Demiri sqaroi: “Natyrisht elektorati di ta çmojë këtë. Mirëpo BDI ka një elektorat të betonuar, ato të cilët janë të kërcënuar: të punësuarit dhe të tjerët dhe unë mendoj se vetëm ajo pjesë do t’i ngele, ndërsa pjesa e elektoratit të vetëdijshëm të cilët janë në gjendje të zgjedhin dhe të ofrojnë zgjidhje nuk do ta votojnë, BDI do të jetë një e kaluar në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoni.”/Portalb.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *