Wednesday , August 4 2021

Maqedoni, paditen tre polic për ryshfet për të votuar pushtetin

“Për dy persona do të hapet hetim penal për ryshfet zgjedhor, ndërkaq për tre persona të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sektori për Kontroll të Brendshëm dhe Standarde Profesionale do të hapë hetim, për të cilët pritet edhe suspendimi nga vendi i punës deri sa të zgjasë procedura”, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, transmeton Portalb.

E dyshuara e parë ka qenë anëtare e VMRO-DPMNE-së nga Komiteti Komunal në Prilep dhe e punësuar në institucion shtetëror. Ajo është përpiqur që ta bind një bashkëqytetare duke ia premtuar 60 euro që e njëjta ta votojë partinë në pushtet. Roli i tre personave të uniformuar, përfaqësues të MPB-së, ende nuk është konfirmuar, por ashtu siç mësohet ata kanë qenë pjesë e grupit të cilët kanë ofruar ryshfet për votim në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, dje e vizitoi Sektorin për Punë të Brendshme të Manastirit dhe Stacionin Policor në Prilep ku potencoi se nuk guxon askush që të bëjë trysni ndaj qytetarëve në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

“Ashpër do të dënohet çdo polic i cili do të merr pjesë në fushatë zgjedhore me cilëndo parti politike. Ka raste të tilla në Strugë dhe në disa vende dhe janë ndërmarrë masa të caktuara. Policia patjetër duhet të jetë shërbyes i qytetarëve. Ngjarje karakteristike ka në Prilep, ku nga ana e dy qytetarëve të Prilepit është paraqitur dhënie e ryshfetit në emër të VMRO-DPMNE-së për votë në zgjedhje. Është dorëzuar kallëzim penal, është njoftuar prokurori publik dhe po ndërmerren masat për pastrimin e rastit. Këto punë janë të palejueshme dhe nëse do të ndodhin do të ketë reagim energjik të MPB-së. Apeloj deri te qytetarët që nëse hetojnë çfarëdo rasti të keqpërdorimit nga ana e cilit do subjekt politik menjëherë ta paraqesin në stacionin policor. Nëse ndjejnë trysni nga cilido organ i shtetit ose nga cilido udhëheqës menjëherë ta njoftojnë MPB-në që të mundemi të ndërmarrim masa përkatëse”, tha ministri Spasovski. /Portalb

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *