Tuesday , December 11 2018

Maqedoni: Filmi “Tallje me Krishtin”, tallje me institucionet

Premiera e filmit “Tallje me Krishtin” në kuadër të festivalit të tretë ndërkombëtar të filmit “Kinenova Shkup”, tejkaloi veprimin e institucioneve dhe marrjen e masave, përpara se ai të transmetohej. Siç mëson jozyrtarisht Alsat M, avokati i shtetit, me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, në datat 2 dhe 3 tetor i ka kërkuar Gjykatës Themelore Shkupi 2 ndalesë të përkohshme të transmetimit të filmit me përmbajtje kontestuese, të paktën në kuadër të këtij festivali. Në kërkesë thuhet se përmbajtja e filmit është nënçmuese, para së gjithash në baza etnike, do të nxisë urretje fetare, ndarje dhe reagime si dhe mund të dëmtojë bashkëjetesën e etnive në vend. Ndalesa kërkohet që urgjentisht t’i shqiptohet Shoqatës për promovimin dhe zhvillimin e artit filmik dhe kulturës “Art Cinema” nën kompetenca të së cilës është shfaqja e filmit në festival, percjell Fakte.

 Duke pasur parasysh përmbajtjen e trajlerit të publikuar dhe shqyrtimit plotësues në skenarin e këtij filmi, Ministria e Kulturës mban qëndrimin se filmi ka përmbajtje nënçmuese para së gjithash në bazë nacionale, do të nxisë urrejtje fetare, ndarje dhe reagime në Republikën e Maqedonisë. Filmi nuk e promovon bashkëjetesën dhe humanitetin në bashkësitë në vend dhe shfaqja publike e tij mund të nxisë urrejtje ndëretnike, ndarje dhe reagim, gjë që është në kundërshtim me interesin publik të qytetarëve. Vendimi i përkohshëm për ndalesë të vlejë 30 ditë pas përfundimit të festivalit të filmit – thuhet në kërkesën e Avokatit të shtetit, deri te Gjykata Themelore Shkupi 2.

Në kërkesën në adresë të gjykatës e cila ka afat 8-ditor për shqyrtim, është theksuar se gjatë inspektimit të dokumentacionit në Agjencinë e filmit është konstatuar se ka pasur shkelje gjatë shpalljes së konkursit për financimin e projekteve filmike. Në elaborim, siç mëson Alsat thuhet se Agjencia ka shkelur Rregulloren për matjen dhe vlerësimin e kritereve për financimin e projekteve filmike me karakter kombëtar në veprimtarinë filmike, dhe parimin që produktet filmike në kuadër të këtij projekti të nxisin bashkëjetesën dhe humanizmin e bashkësive etnike. Siç mëson jozyrtarisht Alsat M, Gjykata Themelore Shkupi 2 ka thirrur seancë për lëndën në fjalë për ditën e martë, në datën 9 tetor dhe ajo i është lënë në dorë gjykatëses Suzana Donçevska. Pavarësisht nëse Gjykata do ta miratojë ose jo ndalesën për transmetim, deri atëherë do të kenë kaluar plot 4 ditë nga premiera e këtij filmi, për të cilin madje nuk dihet as sa herë do të ritransmetohet.

Paralelisht, avokati i shtetit, për kërkesën e Ministrisë së Kulturës e ka njoftuar edhe Prokurorinë Publike, duke ju drejtuar kryeprokurorit Lubomir Joveski. Ai ka kërkuar nga Prokuroria procedimin e rastit.

Deri te avokati shtetëror nga ana e Ministrisë së Kulturës  është dorëzuar kërkesë për të propozuar masë të përkohshme ndaj Shoqatës “Art Cinema”, ndalesë për shfaqje publike të filmit “Tallje me Krishtin” me regji të Jani Bojaxhi dhe produksion të Orion Production bashkë me ekzemplarë të Gazetës Zyrtare dhe raport nga shqyrtimi në Agjencinë e filmit. Ua dorëzojmë kërkesën me dokumentet në drejtim të veprimit tuaj në kuadër të kompetencave tuaja – thuhet nga Avokati i shtetit, deri te prokurori publik, Lubomir Joveski.

Prokuroria Publike, deri tani nuk ka reaguar ndaj kërkesës së avokatit të shtetit për hetim të rastit. Në rast të vërtetimit të shkeljeve gjatë procedurës së shpalljes publike dhe prodhimit të filmit, kompetentët mund të përballen me padi, dëmshpërblim ose kthim të mjeteve të filmit.

Filmi i shumëpërfolur me përmbajtje fyese dhe skena të dhunës dhe përdhunimit nga aktorë në rolin e ushtarëve të UÇK-së, ka kushtuar 300,000 euro para nga buxheti shtetëror. Përmatja e tij u dënua edhe nga kryeministri, Zaev Zaev si dhe nga ministri i Kulturës, Asaf Ademi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.