Thursday , November 15 2018

Maqedoni: 500 euro dënim, për veturat pa etiketë ekologjike

Propozim-ligji i ri për automjete, me të cilin do të inkorporohet kategorizimi ekologjik i mjeteve motorike, përkatësisht markimi i tyre me etiketa me ngjyrë të gjelbër, të verdhë dhe të kuqe varësisht nga shkalla e tyre e ndotjes, parasheh edhe dënim prej 500 euro nëse automjeti privat nuk ka etiketë. Ndërsa nëse bëhet fjalë për firmë, dënimi do të jetë 2.000 euro, shkruan “Meta“, percjell Fakte.

Kjo është përcaktuar në nenin 9 të propozimit të ligji, me të cilin ndryshohet neni 26 i ligjit ekzistues, me të cilin largohet etiketa në targa dhe zëvendësohet me etiketën e re ekologjike.  Sipas dispozitave të nenit 26, dënimi për drejtim të automjetit të paregjistruar dhe mos pasja e etiketës në targa për automjet privat është 500 euro ndërkaq, pasi me ligjin e ri ajo do të zëvendësohet me etiketën e re ekologjike, dënimi mbetet në atë shumë. Mirëpo, nëse nga skadimi i regjistrimit kanë kaluar më pak se 30 ditë, dënimi është 100 euro. Për automjete të firmave, dënimet për automjete pa etiketë ekologjike do të jenë 2.000 euro.

Në mënyrë plotësuese, propozuesi i ligjit të ri, Ministria e ekonomisë, ka përllogaritur që subvencionet prej 5.000 euro për automjet të ri elektrik, përkatësisht 3.000 euro për automjet të ri hibrid, prej buxhetit shtetëror do të ndahen 170 milion denarë në vitin 2019, 245 milion denarë në vitin 2020 dhe 320 milion denarë në vitin 2021.

Propozim-ligji përfshin edhe zgjerim të vëllimit të të dhënave për automjetet që do të regjistrohen në Regjistrin e automjeteve, kurse risi e madhe është edhe fakti se kontrolli teknik i automjeteve do të zgjat së paku 15 minuta, kurse për automjetet e kategorisë më të lartë për transport të mallrave dhe udhëtarëve, së paku 25 minuta.

Pas hyrjes në fuqi të ligjit, me etiketë të gjelbër për 1 kategori ekologjike, do të shënohen automjetet me standardet Euro 5 dhe Euro 6, si dhe automjetet me Euro 4 në të cilat është futur aparat për gaz të lëngshëm ose gaz i kompresuar tokësor, si dhe automjetet elektrike dhe hibride. Gjatë rritjes së lartë të ndotjes së ajrin në qytetet, ato mjete motorike do të mund të qarkullojnë lirshëm në zonat e mbrojtura ekologjike, sipas vendimeve të komunave dhe Qytetit të Shkupit.

Kategoria e dytë ekologjike, me etiketë të verdhë, përbëhet prej automjeteve me standardet Euro 3 dhe Euro 4, si dhe automjetet me Euro 2 në të cilat është instaluar aparat për gaz të lëngshëm ose gaz i kompresuar tokësor. Për ato mjete motorike gjatë ndotjes së zmadhuar do të ketë kufizime për qarkullim, sipas vendimeve të komunave dhe Qytetit të Shkupit.

Në kategorinë e tretë, më të ulët, që shënohet me etiketën e kuqe, do të përfshihen automjetet me standardin Euro 2 ose Euro 1, apo pa atë standard. Për ato do të ndalohet qarkullimi në periudha të ndotjes së ajrit.

Qëllimi i ndryshimeve është të zvogëlohet ndotja e ajrit prej mjeteve motorike.

Propozim-ligji parasheh edhe subvencione prej 5.000 euro për çdo automjet të blerë elektrik, kurse 3.000 euro për mjet motorik të blerë hibrid. Vitin e parë pas hyrjes në fuqi të ligjit do të ndahen gjithsej 200 subvencione të atilla.

Gjithashtu, do të subvencionohet instalimi i aparateve për gaz të lëngshëm ose gaz të kompresuar tokësor, përkatësisht metan edhe atë më së shumti 50 përqind të shpenzimeve për blerje dhe instalim të aparatit, por maksimum deri 300 euro për mjet motorik. Vitin e parë planifikohen 1.200 subvencione të tilla./Portalb

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.