Saturday , June 6 2020

LSDM dorëzoi iniciativën për seancën konstituive në Kuvend (VIDEO)

Sekretari i Lidhjes SocialDemokrate të Maqedonisë (LSDM), Oliver Spasovski sot në Kuvendin e Maqedonisë e dorëzoi iniciativën për vazhdimin e seancës konstituive në Kuvend, në të cilën duhet të zgjidhet kryetari i ri i shtëpisë legjislative, raporton Portalb.mk.

“Iniciativën e dorëzuam që mos të ketë më askush arsyetime për sigurimin e shumicës parlamentare pasi që dorëzuam 67 nënshkrime të deputetëve, edhe pse këtë rregullorja nuk e kërkon për të vazhduar seanca konstituive. Presim që Trajko Veljanovski menjëherë të thirr seancën konstituive të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë dhe më në fund ky institucion kyç i vendit që përfaqëson popullin e Maqedonisë, të fillojë punën në interes të shtetit”, tha Spasovski.

Sipas tij, hapi i parë është zgjedhja e kryetarit të Parlamentit, që “do të hiqte argumentin e fundit të paarsyeshëm të Ivanovit, i cili është i obliguar t’ia jep mandatin LSDM-së për forminin e Qeverisë”.

Spasovski gjithashtu theksoi se pret që të thirret seancë koordinative me të gjitha partitë për t’i shqyrtuar opsionet për kryetar të ardhshëm të Kuvendit.

I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Veljanovski nuk e thirr seancën, ai tha se “çdokush duhet të jetë në shërbim të detyrës, të ketë përgjegjësi dhe të mos i mbajë peng institucionet”.

“Seanca konstituive është e filluar dhe nuk ka afat për vazhdimin e saj. Ajo mundet menjëherë të thirret dhe pres që Veljanovski menjëherë ta bëjë atë”, tha Spasovski.

Ai shtoi se LSDM ende nuk ka zgjedhur koordinator të grupit të tyre parlamentar.

Ndryshe, iniciativa është rezultat i konsultimeve disaditore mes partive parlamentare, ndërkaq hapat pardje i paralajmëroi edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev.

Seanca konstituive e Kuvendit filloi me 30 dhjetor dhe atëherë vetëm u verifikuan mandatet e deputetëve. Mbetet që të zgjidhet kryetari i Kuvendit, i cili sipas spekulimeve mediale, pritet të jetë nga radhët e BDI-së.

Deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi, për televizionin Alsat M deklaroi se beson që Veljanovski nuk do ta pengojë procesin sepse kjo sipas Xhaferit, për të do të nënkuptonte përgjegjësi penale.

“Ka afat kohor që është dhënë për t’u përmbyllur këto sende dhe ne presim këto ditë që kjo të përmbyllet, nesër, pasnesër, besojmë që duhet të përmbyllet. Mendoj se Trajko Veljanovski do të reflektojë kundrejt kërkesës së 67 deputetëve që të vazhdojë me seancën sepse besoj se nuk do të pranojë edhe ai personalisht të bëhet pjesëmarrës i një vepre penale, për pengimin e sistemit juridik të vendosur këtu me kushtetutë”,deklaroi Talat Xhaferri, deputet i BDI-së.

Sipas procedurës, kryetari i Kuvendit  zyrtarisht do të deklarojë se ka shumicë parlamentare dhe do të kërkojë mandat nga presidenti për programin e Qeverisë së re.

Në ndërkohë, kryetari Gjorgje Ivanov i cili mbetet në qëndrimin e tij që të mos ia jep mandatin liderit të LSDM-së, Zaevit, pas vizitës dy ditore në Azerbejxhan do të kthehet në Maqedoni. Bëhet e ditur se e ka anuluar vizitën në Australi që e kishte planifikuar të shkojë kah fundi i majit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *