Sunday , February 28 2021

“LIDERI” DHE NËNA SHQIPTARE

Ali Ahmeti, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, po e çon zërin “pushkë” për Isa Boletinin. Në atmosferë festive jehon kënga bashkë me tingujt e qiftelisë. Heroi ynë kombëtar arriti. Ai u nis për në Shkupin e vilajetit, por, Generall Sokoll Mitrevski i Gjorçe Petrovit nuk e lejoi të hyjë baca Isë në qytet, mos e trembe Car Dushanin me shokë në shesh.

Nëna shqiptare nuk ka gjumë në sy. Sytë e saj të përlotur vajtojnë për djemt e saj. Të vrarë e të burgosur, të pështëruar e të varfëruar. Atij që u vra në luftë, nëna ia bëri hallall gjakun. Por atë që e vranë pas shpine, tinëzisht, shokët e tij të idealit, së bashku me xhelatin, gjaku i tij nuk falet. As ai që pa asnjë faj, por vetëm pse ishte shqipëtar, vetëm pse ishte atëdhetar, vetëm pse nuk u pajtua të hidhte “vallen” e Ali Ahmetit u burgos përjetë, as ai nuk falet. Nëna loke me lot në sy po ia rrit nipin e djalit. Ato e mëson ta dojë atëdhenë, por të ruhet nga ujku i veshur si qengj, të ruhet nga lakmia për paranë dhe të mos bëjë pazare me kombin. Ajo e mëson nipin se ai nuk është as indian dhe as më kaur se kauri.

Kjo e keqe një ditë do të merrë fund. Edhe valles të “liderit”, edhe vajit të nënës shqiptare do t’i vije fundi./FAKTE.Net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *