Wednesday , January 20 2021

Lëviz shqiptar se nuk bëhet drejtësi nga divani!

Shkruan: Keti Bazhdari

…as politikë, as demokraci, as ekonomi, as…, as…, kushedi sa bëhet vargu i as-ava, ndoshta edhe më i gjatë se vargu i ankesave tona për gjërat që s’shkojnë në këtë atdheun tonë fajtor. Me siguri po mendoni nga na doli kjo atdhe fajtor? Po pra atdhe emër abstrakt, faji trajtohet pothuajse gjithmonë nga divani dhe në fund rezulton kopil, atëherë cfarë nuk shkon me atdhe fajtor?
A nuk jemi ne që kushedi sa herë e kemi menduar si na ra për hise të lindim në këtë vend?! Jemi pra. Pranojeni! Ajo që kam kuriozitet të di unë është a e ka menduar ndonjëherë kush, si i ra ai për hise këtij atdhe? E di që ngjan paradoksale, por kjo mbart brenda një të vërtetë të pamohueshme që vetëm kush ka kurajon ta pranojë e dallon… Dallon mungesen e frikshme të sensit të komunitetit (senso civico, sense of community) tek qytetari shqiptar.
Për tu quajtur qytetarë i një vendi nuk është e nevojshme, por as e mjaftueshme ta kesh shtëpinë në gradaçela, duhet pikësëpari të jesh pjesë e një komuniteti që gëzon të drejta, por ka dhe detyrime, te negociuara nga shumica dhe të respektuara nga të gjithë.
Sa prej nesh mendojnë qoftë dhe 5 minuta në ditë për detyrimet që i lindin atyre si qytetarë të një vendi, kundrejt orëve që shqetësohen e diskutojnë për të drejtat e mohuara. Eh pra duke u munduar secili në maksimum për të drejtat e veta, ndërkohë që i shmanget me të njëjtin vullnet detyrimeve, s’ka si të bëhet drejtësi.
Në botë ka marrëdhënje, marrje dhe dhënje, nëse të gjithë do suleshin për të marrë, do përfundonin duke ia marrë njëri tjetrit. Në finale do fitonin më të fortët dhe askush s’do kishte ca tu thoshte sepse e gjithë shoqëria është e ndërtuar dhe funksionon mbi këto parime. Më të dobtët maksimumi do ankoheshin me njëri tjetrin, do shanin do shfrynin, por jo se janë parimisht kundra, thjeshtë ngaqë nuk ia dalin edhe vetë të bëjnë si të tjerët. Nga ana tjetër më të fortët do bënin ç’është e mundur për të ruajtur sa më gjatë pozitat dominuese, duke gënjyer, shtypur, pse jo dhe duke vrarë. Kuptohet që në ambjente të këtilla nuk ekziston frika e ndëshkimit sepse mungon drejtësia në thelb. Pra nuk ka një shembull pozitiv të prodhuar në atë shoqëri me të cilin të bëhej krahasimi për të marrë vendimin e drejtë.
Të vetmet vendime ndëshkuese që prevalojnë në një klimë të tillë, janë ato të njëanshme, nga një palë kundër tjetrës, për të mbrojtur interesa të caktuara klanesh apo individësh me pushtet. A nuk i ngjan kjo fiks panoramës sociale shqiptare?!
Bota e civilizuar, por edhe ajo më pak e civilizuar, ka shekuj që ka dalë nga ky sistem primitiv, adekuat për qënie të një rendi shoqëror më të ulët, si fjala bie, hienat, ku përzgjedhja natyrale mbështet më të fortët brenda llojit, ndërsa të tjerët janë të destinuar të vdesin urie, ftohti etj.
Njerëzit, ngado nëpër botë, i ka ndihmuar logjika të kuptojnë se jeta dhe puna në komunitet është më frytdhënëse, më e qetë, dhe krahas përmbushjes së ekzigjencave për mbijetesë, ofron mundësi të tjera për vetëpërmbushje që e ndajnë njeriun nga kafsha. Kështu avash avash janë krijuar qytetet, shtetet, kontinentet pse jo dhe një glob i së nesërmes me demokraci të njehsuar. Por e
gjitha kjo, për sado avash, do të ishte e pamundur nëse shumica e qytetarëve të botës nuk do kishin sensin komunitar, ashtu siç, fatkeqësisht, nuk e kemi ne. Arsyet pse nuk e kemi mund të jenë të shumta; ndoshta për faktin se i kemi përkitur për shumë kohë një perandorie që e luftonte në thelb ndjenjën komunitare, sic ishte bizanti i cili mbahet dhe si perandoria më jetëgjatë e gjitha kohërave dhe ne kemi qenë pjesë integrale e saj nga fillimi deri në fund, apo për shkak të pushtuesve të shumtë që përveç shtypjes na kanë fragmenterizuar në nën/kultura, etni etj duke shërbyer shumë shpesh si barut kundër njëri tjetrit, apo thjesht se ne e kemi prirje gjenetike të mos e kemi këtë sens. Gjithsesi kjo ngelet një casus i të ardhmes, por për momentin fakt mbetet se duke mos disponuar sens e komunitetit, e kemi patur shumë më të vështirë, për të mos thënë të pamundur që të realizojmë drejtësi me forcat tona dhe të ngrejmë institucione të pavarura që garantojnë paanësinë. Ky përfundim s’do shumë mend duke parë dhe rezultatet e këtyre 25 vjetëve të fundit.
Por pavarësisht gjithave jemi me fat. Jemi në Europë. Dikujt tjetër i ka rënë në mend për ne, pavarësisht se jam e bindur që s’është rastësore. Edhe ne kohët e fundit kemi nisur të prezantohemi ndryshe në sytë e botës dhe këtu se kam për zhvillimin e paparë brenda vendit sa për pozicionin dhe aksionin politik të jashtëm që së fundmi kemi ndërrmarrë, dhe kaq se s’dua ta politizoj, por sot ne jemi më pranë se kurrë momentit historik që mund të shënojë kthesën tonë të madhe dhe s’po flitet më të shkojmë ne dyerve të botës ta kërkojmë fatin, janë të huajt që kanë ardhur të na mbështesin brenda. Po pra, ata që kanë ndërtuar të gjithë atë botë moderne me infrastrukturë ligjore e ekonomike në shoqëritë e tyrë të lira e që për një pjesë të mirë të shqiptarëve ka kushtuar më shumë se gjaku njehsimi me atë ëndërr po kërkojnë t’na mbështesin edhe ne që të bëhemi si ata. Ata kanë shumë eksperiencë në menaxhimin e shoqërive sepse bëhet fjalë për kultura me demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës të forcuar në shekuj.
Ata e dinë se shtylla kurrizore e një shoqërie është një sistem drejtësie i mirëfilltë, i paanshëm dhe garant i funksionimit të institucioneve të pavarura.
Paanshmërinë e sistemit të drejtësise, por jo vetëm, është në gjendje ta garantojë vetëm një monitorim i mirë dhe ai vetë i paanshëm, që në rastin tonë kemi fatin t’na e ofrojnë vetë përfaqësuesit e këtyre vendeve të zhvilluara..
Me pak fjalë të jenë ata qe do monitorojnë gjykatësit, prokurorët tanë si i kanë fituar lekët, sa mund kanë derdhur për këtë, si i kanë dhënë ato vendime, nëse duhet të vazhdojnë t’i japin, si do i japin për mua, ty, … shqiptarët. E ku ka më mirë se kaq! Do të thotë që nesër dikush të tjetërson pronën, apo të dhunon,të heq nga puna padrejtësisht, apo .. apo.. dhe ti të mund t’i drejtohesh gjykatës dhe të fitosh të drejtën tënde sepse gjykatësi nuk guxon të veprojë ndryshe se ka një komision mbi kokë ku ti mund të ankohesh për vendimet e padrejta dhe ai humbet menjëherë vendin e punës sepse në sistemin e drejtësisë është gjithcka lehtësisht e verifikueshme, mjaft që të ketë vullnet për këtë. Si thoni ju bëhet apo s’bëhet shtet pastaj?! Por për të realizuar gjithë këtë duhet reforma sepse vetëm reforma lejon me kushtetutë që këto komisione të monitorimit me të huaj të ngrihen. Dhe kush thoni ju i bëhet pengesë kësaj pune? Ata që duan drejtësinë ta zbatojnë apo ta përdorin?!
Fshati që duket nuk do kallauz, thotë një fjalë e vjetër. Por problemi real tashmë qëndron diku tjetër, kush e ka në dorë këtë reformë dhe kjo po që ka nevojë për kallauz.
Nje grup llafazanësh, me pushtet politik e ekonomik kanë filluar ta trajtojnë reformën si genocid, me qëllimin e vetëm që të mos lejojnë ndërkombëtarët të futen në “punët” e brendshme të shqiptarëve. Në fakt reforma s’i ka hic ata në qendër. Ka funksionalitetin e së drejtës në këtë vend që nesër t’i shërbejë dhe atyre vetë apo fëmijve të tyre pasnesër, sepse ngritja nuk mund të vazhdojë përjetë, edhe xhungla njeh uljet e ngritjet e veta ciklike.
Prandaj unë propozoj që në këtë pikë ti shqiptar ta lësh divanin, politikën e madhe para gotës së rakisë, lër edhe politikën e vogël që përdor për t’i kërkuar lekë vëllait emigrant, lëri të gjitha për momentin me telenovela, skedina, pazarllëqe e ofshama dhe vrapo t’i dalësh zot vehtes se kësaj rradhe janë duke të hyrë në hak pernjimend!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *