Gjatë ditës së nesërme, partitë politike dhe koalicionet që do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) i fton të nënshkruajnë Kodeks për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike me proces të pastër, i cili do ta përfshijë edhe fushatën zgjedhore, njofton Portalb.mk.

Në këtë ngjarje, ku do të nënshkruhet Kodeksi, të organizuar nga KSHZ, pritet që të marrin pjesë liderët e partive dhe kori diplomatik në vend.

Të hënën fillon fushata Zgjedhore dhe do të zgjasë deri një ditë përpara zgjedhjeve, gjegjësisht deri në heshtjen zgjedhore.

Ashtu edhe sikur në të kaluarën, gjatë fushatës zgjedhore pritet që të rritet intensiteti i fyerjeve, urrejtjeve dhe sulmeve mes partive, ndërkaq në media vazhdimisht do të sillen porositë e partive politike të cilat ua drejtojnë njëra tjetrës, transmeton Portalb.

BDI takimin e parë zyrtarë në fushatë do ta fillojë më 22 nëntor nga Likova, PDSH më 21 nëntor nga Studeniçani, Lëvizja Besa më 21 nëntor nga Shkupi dhe Aleanca për Shqiptarët (LR-PDSH, UNITETI dhe RDK) më 20 nëntor nga Gostivari.

Në bllokun maqedonas, VMRO-DPMNE-ja do të fillojë më 21 nëntor nga Ohri, LSDM-ja më 21 nëntor nga Prilepi, Koalicioni për Drejtësi më 21 nëntor nga Shkupi dhe VMRO për Maqedoninë më 22 nëntor nga Ohri.

Gara më e nxehtë në bllokun shqiptar, do të jetë në njësinë numër gjashtë, ky do të përballën krerët e BDI-së, PDSH-së, Lëvizjes BESA dhe LR-PDSH-së, Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, Bilall Kasami dhe Ziadin Sela, ndërkaq te blloku maqedonas në njësinë numër katër, do të përballen lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Në garën për karrigen e deputetëve këtë herë u gjetën, si asnjëherë më parë, shumë ish shefa dhe zyrtarë të lartë të policisë sekrete dhe MPB-së. Kjo ndodh në kohën kur Maqedonia tronditet nga kriza politike që u nis pikërisht nga skandali politik dhe i kundër-zbulimit me publikimin e bombave opozitare, për të cilat, sipas PSP-së janë bërë nga DSK.