SHARE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën pranoi publikisht ftesën nga kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, që të marrë pjesë në Samitin e Sofjes BE – Ballkani Perëndimor, por pa u dhënë shumë shpjegime rreth mënyrës së përfaqësimit të Kosovës atje, përcjell Fakte.

Faqja European Western Balkans shkruan se pjesëmarrja e kryeministrit të Spanjës Rajoy ende është në dyshim pikërisht për shkak të Kosovës.

“Sipas raporteve, Madridi këmbëngul që kushtet për Kosovën nuk janë plotësuar për pjesëmarrje, pasi ajo nuk njihet nga 5 vende anëtare përfshirë Spanjën dhe nuk mund të bëjë hapa të mëtejmë në procesin e anëtarësimit“, shkruan EWB.

Ndryshe, deri më tani janë përmendur disa skenarë të mundshëm për përfaqësimin e Kosovës në këtë Samit, përfshirë praninë pa simbole, anulimin e fotografisë familjare BE – Ballkani Perëndimor, pastaj pjesëmarrja e Rajoy në Samit vetëm gjatë mbajtjes së takimit të liderëve të BE-së dhe largimi i tij nga Sofja kur pjesa tjetër e zyrtarëve të BE-së t’i takojnë liderët e Ballkanit Perëndimor.

SHARE