Sunday , January 24 2021

Kriza e emigrantëve, Rama nga Vjena: Zgjidhje të përbashkët

Kryeministri i vendit Edi Rama ka udhëtuar drejt Austrisë me ftesë të kancelarit austriak Christian Kern për të marrë pjesë në samitin e organizuar në Vjenë me temë “Migrimi përballë rrugës ballkanike”. Në samit marrin pjesë edhe drejtues të vendeve të tjera të rajonit dhe përfaqësues të Bashkimit Europian, ku tematika kryesore është sfida e refugjatëve me të cilët po përballet Europa. Gjatë qëndrimit në Vjenë, kryeministri do të zhvillojë një sërë takimesh.

Kryeministri Rama shprehu në Samit gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë pjesë e një zgjidhjeje të përbashkët. Qëndrim, të cilin Kryeministri e nënvizoi edhe në një prononcim në përfundim të punimeve të Samitit.

“Shqipëria ka pozicionin e saj të qartë qysh në fillim, jemi gati të marrim pjesë në këtë përpjekje, nëse kjo është e përbashkët, e mirëorganizuar, e koordinuar dhe e ndershme për të gjitha vendet. Shqipëria as mund të çelë kufijtë e të nxjerrë gjoksin përpara, as nuk sillet si disa vende që faktikisht tradhtojnë vlerat e parimet e Bashkimit Europian, kur flasin dhe i qasen çështjes së refugjatëve”, u shpreh Rama.

Kryeministri e vlerësoi Samitin edhe si një rast për të dëshmuar forcimin e reputacionit të Shqipërisë. “Nga ana tjetër ishte një rast shumë i mirë për të parë, edhe në sensin e  marrëdhënieve tona me të tjerët, forcimin e reputacionit të vendit tonë si një vend ku ka një vullnet të gjithëpranuar botërisht për reformën në drejtësi, për luftën kundër krimit, kundër trafiqeve dhe kundër korrupsionit. Kjo ishte nota pozitive për mua dhe shpresoj shumë të marrim atë që na takon mbas gjithë kësaj pune të madhe që kemi bërë, rekomandimin për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, që na fut në një fazë të re gjatë mandatit të dytë të qeverisjes”, theksoi kreu i qeverisë.

Kryeministri Rama zhvilloi një takim dypalësh në zyrën e kancelarit, me homologun Christian Kern, me të cilin bisedoi rreth reformave të qeverisë, duke u ndalur tek reforma në drejtësi dhe nevoja për të ecur përpara me procesin e integrimit europian. Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve ishte një tjetër temë, për të cilën Kryeministri Rama dhe Kancelari Kern bashkëndanë vullnetin për të shfrytëzuar çdo hapësirë që rrit shkëmbimet tregtare dhe mundësitë e biznesit për të shtrirë investimet e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *