SHARE

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në një intervistë për mediat greke ka folur sërish për marrëveshjen Shqipëri-Greqi, dhe për marrëdhëniet mes dy vendeve, përcjell Fakte.

Kotzias ka folur për paktin për detin, dhe ka thënë se mund të ketë edhe surpriza në favor të shtetit helen.

“Do të kemi mbledhje javët e ardhshme, ashtu siç parashikon Kushtetuta e vendit mik dhe komunikimi që bëri presidenti Meta me qeverinë e atjeshme. Besoj se deri në fund të majit do të jenë mbyllur esencialisht dhe formalisht edhe çështjet e fundit të hapura. E dini, janë probleme që ekzistojnë që prej 70-80 vjetësh. Kur të vijë për diskutim në parlament do të befasoheni me ato që do të dëgjoni dhe me budallallëqet që bëhen nga të dy palët”, ka thënë Kotzias.

Kotzias ka qenë i prerë kur ka folur për çështjen çame. Në këtë kontekst Kotzias ka shtuar se formalisht Shqipëria dhe Greqia janë në luftë, marrë parasysh se nuk është hequr ligji i luftës.

“Nuk kemi pranuar që të shtrohet një çështje e tillë në negociatat.

Për pasuritë, të vetmet pasuri që ekzistojnë, janë ato që kanë të bëjnë me ligjin e luftës.

Formalisht, në një sens, jemi akoma në luftë me Shqipërinë.

Përderisa nuk bëhet me mjaftueshmëri juridike abrogimi i ligjit të luftës, këto pasuri mbeten të konservuara në duart e shtetit grek.
Që nga shpallja e luftës kundër Greqisë, nga Italia dhe Shqipëria që atëherë ishin bashkuar në një mbretëri. Këto janë që nga lufta, nuk kanë të bëjnë me çamët.

Për çamët janë vendimet gjyqësore dhe janë vendime të parevokueshme”,-mësohet të jetë shprehur Kotzias.

SHARE