Friday , December 14 2018

KOSOVË: PËR 10 MUAJ 102 TË VDEKUR, MBI 13 MIJË TË LËNDUAR NGA AKSIDENTET NË KOMUNIKACION

Policia e Kosovës bën të ditur se gjatë periudhës janar-tetor janë shkaktuar 13 mijë e 195 aksidente, kanë vdekur 102 persona, ndërsa kanë mbetur të lënduar 10 mijë e 483 të tjerë.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, dërguar Gazetës Express, në periudhën janar-tetor, në Kosovë janë shkaktuar 5 mijë e 252 aksidente me lëndime, ku numri i personave të lënduar shkon deri në 10 mijë e 483. Ndërkaq, 102 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të trafikut gjatë 10 muajve të parë të këtij viti.

Përkundër apelit të Policisë për kujdes të shtuar gjatë pjesëmarrjes në komunikacion, në vendin tonë përgjatë këtyre muajve janë shkaktuar 13 mijë e 195 aksidente, ndërsa janë shqiptuar 340 mijë e 759 gjoba.

Këto statistika të PK’së tregojnë se gjatë periudhës janar-tetor të vitit të kaluar (2017), ka pasur numër më të madh të aksidenteve me fatalitet, me të lënduar, shqiptimit të gjobave si dhe në totalin e aksidenteve.

Gjatë vitit të kaluar, u shkaktuan 92 aksidente fatale ku humbën jetën 103 persona. Aksidente me lëndime ishin 5 mijë e 321, ndërsa u lënduan 10 mijë e 636 persona.

Aksidente me dëme ishin 9 mijë e 376, e totali i aksidenteve ishte 14 mijë e 789. Ndërkaq numri i gjobave të shqiptuara gjatë periudhës janar-tetor të vitit 2017, ishte 344 mijë e 964, percjell Fakte.

Pas aksidenteve me fatalitet që ndodhën në Kosovë gjatë muajve të verës, PK’ja kishte formuar një TASK Forcë e cila shërbente për sigurinë në trafik, por krijimi i saj nuk pati efekt të madh në ndalimin e aksidenteve.

Ndërkohë, javën e kaluar katër anëtarë të një familjeje nga fshati Ponesh i Gjilanit humbën jetën si pasojë e një aksidenti në rrugën Prishtinë-Gjilan, të premten e 16 nëntorit. Agron Shala, Arife Shala, Osman Shala dhe Elfete Rashiti, janë emrat e viktimave të cilët i shtohen listës së gjatë të të vdekurve në aksidentet rrugore në vendin tonë.

Por muaji nëntor nuk ishte i kobshëm vetëm për familjen Shala e Rashiti, pasi gjatë këtij muaji viktima të trafikut u bënë edhe 5 persona tjerë, të cilët nuk mundën t’u bëjnë ballë plagëve të marra gjatë aksidenteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.