Wednesday , August 4 2021

Kosovë: Njihuni me monstrën-prind: Tre fëmijë të vrarë, vajzën të përdhunuar…

Gani Bernjashi, në orët e para të ditës së enjte, në fshatin Karaqevë e Poshtme, në Kamenicë, me shkop e vrau të bitin e tij të hasretit 14-vjeçar, Luanin.

Babai 60-vjeçar, Gani Bërnishaj nga fshati Karaqevë e Komunës së Kamenicës ka mbytur djalin e tij, Luan Bernjashin 14-vjeçar pas rrahjes me shkop të drurit që i ka bërë mbrëmjen e së mërkurës, përcjell Fakte.

Sipas informacioneve të para, të konfirmuara edhe nga Policia, ai e ka fshehur djalin e lënduar rëndë për 4 orë në një dhomë të shtëpisë dhe ka gënjyer në polici se djali është vetaksidentuar me motoçikletë dhe si pasojë e lëndimeve ka vdekur, po krejt kjo nuk doli kështu dhe shpejt u mor vesh se G.B, rrahu djalin për vdekje.

Gazeta Express nga burimet merr vesh se pas mbytjes se djalit, ai rrahu rëndë edhe vajzën 17-vjeçare

I dyshuari kishte dhënë një intervistë për një media lokale, të cilën e kishte ofenduar presidentin e tanishëm të Kosovës, Hashim Thaçin.

Vrasja e të birit nuk është akti i vetëm i tmerrshëm i babait nga Karaçeva e Komunës së Kamenicës. Vite më parë 60-vjeçari Gani Bernjashi, i cili mbrëmë e mbyti djalin e hasretit duke e rrahur keq, dhe rrahu vajzën e tij 17 vjeçe, kreu edhe një krim tjetër të tmerrshëm. Po aq të tmerrshëm sa ky sot, shkruan Gazeta Express.

Ganiu në vitin 1997 erdhi në Prishtinë dhe e dhunoi një vajzë të mitur 12-vjeçare. Për këtë akt të tmerrshëm ai vuajti dënimin me 7 vjet dhe doli nga burgu në vitin 2004. Në kohën kur e kreu këtë krim ai ishte 40 vjeç.

Këto të dhëna i ka dhënë për Gazetën Express prokurori i Krimeve të Rënda në Gjilan i cili po merret me rastin, Shaban Spahiu.

“Ne i kemi intervistuar familjarët, ndaj të dyshuarit kemi vënë masën e paraburgimit prej 48 orëve. Për personin thuhet të ketë qenë problematik. Ka kërkuar para, por nuk është se ka pasur nevojë për to, ngase kushtet financiare nuk i kanë pasur edhe aq keq. Për të kemi informata se gjatë viteve të 90-ta e ka dhunuar një të mitur”, ka thënë Spahiu për Express.

Ndaj të dyshuarit është duke u përgatitur kallëzimi penal. Ganiu është i martuar me një grua të nacionalitetit boshnjak dhe kishin një djalë dhe dy vajza nga kjo martesë.

Ganiu për një kohë të gjatë kishte bërë punën e lypsarit profesionist. Terrenet e tij të lypjes së parave në rrugë kishin qenë Prishtina e Mitrovica. Ai në fshatin e tij ku banonte në Karaçevë të Kamenicës, nuk njihej si person i qetë. Gazeta Express ka mësuar detaje për Ganiun nga fqinjët e tij.

“Nuk kemi pasur muhabet me atë person. Ai para shumë viteve kishte dhunuar një vajzë. Kërkonte para, por kushtet në shtëpi nuk i kishte pasur të këqija. Dy troje i kishte të blera, dhe del tash e mbyt djalin e tij të vetëm, kjo është makabre. Jemi të shokuar”, i ka thënë Express-it njëri nga fqinjët e Ganiut.

Por këto histori shokuese nuk janë të vetmet për të cilat njihet familja e Bernjashit nga Karaçeva e Kamenicës. Babai i Ganiut, para 30 viteve i kishte mbytur në bunar dy vajzat e tij. Këtë ia kanë pohuar Express-it fqinjët e familjes Bernjashi.

Për vrasjen e fëmijës 14 vjeç Prokuroria e shtetit thotë se po i vazhdojnë hetimet. Janë bërë ekzaminimet e vendit të ngjarjes dhe së shpejti për këtë rast të rëndë do të publikohen detajet tjera.

Vrasësi momentalisht gjendet në qendrën e paraburgimit në Gjilan.

Sot trupi i pajetë i 14-vjeçarit, pas kryerjes së autopsisë, i është kthyer familjes për ceremoni mortore. Ai pritet të varroset gjatë ditës së sotme.

Familja Bernjashi nga Karaçeva e Kamenicës, njihet në fshatin e tyre. Nuk është veç krimi i sotëm ai që e paraqiti Ganiun si vrasës brenda familjes. Para shumë vitesh, ngjarje e njëjtë kishte ndodhur në shtëpinë e tyre, përcjell Fakte.

Babi i Ganiut, Hamdiu, i kishte vrarë dy vajzat e tij duke i hedhur në bunar dhe duke i lënë aty për disa ditë. Kishin qenë banorët e fshatit ata të cilët i kanë nxjerrë trupat e pajetë të tyre nga bunari.

“Para shumë viteve babai i këtij Ganiut i kishte vrarë dy vajzat e tij duke i gjuajtur në bunar. Ne banorët i kishim nxjerrë ato trupa nga puseta. Sot ndodhi histori pothuajse e njëjtë”, i kanë thënë Expressit familjarët.

Kujtojmë se Gani Bernjashi, 60-vjeçari nga Karaçeva e Kamenicës, vrau mbrëmë djalin e tij të hasretit Luanin, 14 vjeç, i cili ka vdekur si pasojë e goditjeve me shkop.

Krimin Ganiu ishte munduar ta fshehë, duke thënë se djali i tij i ndjerë ishte aksidentuar. Ndaj Ganiut, Prokuroria Themelore në Gjilan e ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 48 orëve./Express

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *