Tuesday , April 20 2021

Kosovë, Liderët nuk pajtohen

Krerët e subjekteve politike në vend nuk kanë arritur marrëveshje për miratimin e një deklarate të përbashkët, me të cilën planifikohet që të enjten Kuvendi i Kosovës t’i drejtohet Bashkimit Evropian duke kërkuar që çështja e demarkacionit me Malin e Zi të mos jetë pengesë dhe se ajo do të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur.

Kështu, megjithëse pritej që takimi i së martës në mes liderëve të përfundojë me marrëveshje, kjo nuk ndodhi pasi të hënën grupet punuese kishin shtuar një pikë në të cilën thuhej se Demarkacioni duhet të rishikohet. Kjo bëri që partnerët e koalicionit të mos e pranojnë këtë draft-rezolutë. Subjektet politike mbesin të hapur për takime tjera.

Veseli: Opozita me qëndrim kokëfortë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se ishte takim i mirë, ku kishte vullnet porse marrëveshja nuk u arrit. Sipas tij, opozita ka qëndrim kokëfortë.

“Ishte takim i mirë. Vullneti është i mirë që të kemi marrëveshje të përbashkët si parti politike për interesa të qytetarëve. Ajo çfarë do të theksoja, fatkeqësisht, nuk arritëm një konsensus të përbashkët që veçanërisht përmes kësaj marrëveshjeje t’i japim shpresë qytetarëve për liberalizimin e vizave. Ideja ishte të mos paragjykohet marrëveshja, por vetëm ta kemi nga një nënshkrim për çështjen e demarkacionit. Opozita ka një qëndrim kokëfortë”, ka deklaruar Veseli.

Kurse zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë se është punuar shumë në një tekst të deklaratës së përbashkët, porse të hënën atij drafti i është shtuar një fjalë shtesë në të cilin, sipas tij, kërkohet që Demarkacioni të rishqyrtohet dhe se koalicionit i është dashur kohë shtesë. Ai ka thënë se ka pajtim që të vazhdohen takimet për gjetjen e një zgjidhjeje. Më tej Abrashi ka thënë se shpeshherë luftërat nuk bëhen për thelbin e materies, por për deklarata politike.

“Ratifikimi është kusht për liberalizim të vizave dhe ne synojmë që këtë ta praktikojmë sa më herët sepse në qoftë se e humbim momentumin në Parlamentin Evropian dyshojmë, edhe nuk kemi ide, askush nuk e di se kur do ta kemi momentumin e ri të krijuar në favor të Kosovës, sikur që është krijuar tani në Parlamentin Evropian. Sa më herët, realisht është gjatë këtij muaji”, ka shtuar Abrashi.

Në anën tjetër kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, ka thënë se ka ardhur me idenë që do të nënshkruhet deklarata e përbashkët, por, sipas tij, koalicioni qeverisës ka ndryshuar qëndrim.

“Çka ndodhi sot është që një tekst të përbashkët, një deklaratë të përbashkët për të cilën ka pasur një diskutim përmes Naim Rashitit tash e një kohë, kemi ardhur me mendimin që do të nënshkruhet ajo edhe pse ka pasur një dakordancë nga përfaqësues të subjekteve politike, mirëpo sot kishin ndryshuar qëndrim koalicioni qeverisës karshi tekstit të asaj deklarate dhe rrjedhimisht nuk arritëm të nënshkruajmë një deklaratë të tillë”, është shprehur Ymeri.

I pari i “Vetëvendosjes” më tej ka thënë se takimet mund të vazhdojnë, mirëpo, sipas tij, mënyra e të ndryshuarit të qëndrimeve brenda natës është problem jashtëzakonisht i madh.

“Sepse një dakordancë të mëhershme ta hedhësh poshtë pas 12 orëve mendoj që është mjaft problematike. Qartazi koalicioni këtu e tregoi që nuk është i interesuar fare për ta rishqyrtuar Marrëveshjen për Demarkacion dhe për ta vendosur atë në përputhje me interesin e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Ymeri.

Ndërsa kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nismës për Kosovën”, Jakup Krasniqi, ka thënë se marrëveshja nuk u arrit për faktin se koalicioni qeverisës nuk kishte ardhur për të bërë marrëveshje. Ai ka thënë se bisedimet mund të vazhdojnë, megjithëse, sipas tij, opozita ka pritur që të martën do të nënshkruhej kjo marrëveshje.

“Sipas mendimit tonë procedimi i kësaj çështjeje në Kuvend pas ditës së sotme është i paarsyeshëm… E vetmja çështje e cila është diskutuar ka qenë rishqyrtimi i marrëveshjes dhe pozita nuk ka qenë e gatshme ta pranojë rishikimin e marrëveshjes. Ne e kemi pasur vetëm një vërejtje, ka qenë shqyrtimi i marrëveshjes, ku është kërkuar që të rishqyrtohet marrëveshja”, ka potencuar Krasniqi.

Haradinaj s’e duron Mustafën

Ndërkohë, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është larguar nga takimi pas rreth 30 minutave. Ai ka thënë se nuk po mund ta duronte kryeministrin, Isa Mustafa, pasi ky, sipas Haradinajt, po fliste si kryetari i Komisionit për Demarkacionin, Murat Meha.

“E pata një detyrë tjetër dhe atë që e pata e thashë, ato që i kemi të ditura. Ne nuk kemi kushte, ne kemi kërkesë që të zgjidhet drejt demarkacioni. Isa Mustafa sot flet njëjtë si Murat Meha edhe pas një viti. Nuk munda ta duroj”, është shprehur Haradinaj.

Në këtë takim në cilësinë e  mysafirëve ishin të pranishëm disa ambasadorë të huaj, në mesin e tyre edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie. Kurse iniciator dhe ndërmjetësues i këtyre takimeve është Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *