Tuesday , December 18 2018

Kosova do t’ua ndalojë hyrjen nëterritor të saj zyrtarëve të Serbisë

Shteti i Kosovës është në përgatitje të një liste me emrat e disa zyrtarëve nga Beogradi të cilëve do t’ua ndalojë hyrjen në Kosovë.

Dhjetëra zyrtarë serb do të gjenden në listën të cilën Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë është duke e hartuar, percjell Fakte.

Zyrtarë nga MPJ kanë deklaruar se këtë punë po e bëjnë pas sjelljeve të pandërgjegjshme të cilat zyrtarët serb po ua bëjnë kosovarëve.

Sipas zyrtarëve të MPJ’së, shteti serb po i keqtrajton qytetarët e Kosovës duke ndërtuar lista të ndalesave si dhe po i arreston ata.

“Jo, nuk kemi ende një listë të tillë. Por, Serbia në të ardhmen e afërt do të përballet me një mase reciprociteti edhe në këtë drejtim, ngase maltretimi dhe ndalesa që ua bën qytetarëve të Kosovës në kufi është e papranueshme”, ka deklaruar Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të jashtëm, Behgjet Pacollit, percjell Fakte.

Zyberaj sjelljet e zyrtarëve serbë i quajti fashiste.

“Serbia i keqtrajton qytetarët e Kosovës, ndërton lista të ndalesës pa kurrfarë arsye për qytetaret tanë dhe arreston njerëz sipas akuzave fashiste të periudhës së Millosheviqit. Kjo nuk mund të tolerohet”, deklaroi ai.

Zyrtari i MPJ’së pret që bashkësia ndërkombëtare të reagojë karshi sjelljeve të tilla të autoriteteve serbe.

“Natyrisht që ne nuk e dëshirojmë një gjë të tille, por bashkësia ndërkombëtare duhet ta ushtroje presionin e duhur dhe ta ndaloje këtë sjellje të qeverisë serbe”, ka thënë Zyberaj të dielën.

Siç u lajmërua më herët gjatë ditës së sotme, gazeta beogradase “Novosti” ka shkruar se “edhe para aplikimit të taksës drakonike doganore për hyrjen e mallrave nga Serbia në territorin e Kosovës, autoritetet e Prishtinës më 1 nëntor kanë marrë vendim që zyrtarëve më të lartë të Beogradit t’u ndalohet kalimi nëpër vendkalimet kufitare në mënyrë që të mos hyjnë në Kosovë”.

“Lista e personave të padëshiruar në Kosovë është shpërndarë në të gjitha pikat e kontrollit të policisë në vendkalimet, duke vënë në dukje se do të arrestohen menjëherë nëse paraqiten në ndonjërin nga vendkalimet kufitare”, shkruan gazeta serbe.

Sipas kësaj gazete, në listën që e ka parë ky medium janë zyrtarët serbë, duke filluar me kryeministrja Ana Bërnabiq, pastaj ministrat e qeverisë dhe krerët e Parlamentit të Serbisë, duke përfshirë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme.

“Në ‘Listën e zezë’ nga kabineti i kryeministres Bërnabiq janë: Ivica Daçiq, Nebojsha Stefanoviq, Rasim Lajiq, Zoran Mihajloviq dhe Aleksandar Vulin. Përfaqësuesit e padëshiruar nga Kuvendi i Serbisë janë: kryetarja Maja Gojkoviq dhe zëvendësit Verolub Arsiq, Vladimir Marinkoviq, Gjorgje Miliçeviq, Verica Radeta dhe Gordana Çomiq si dhe 14 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të kryesuar nga kryetarja Vesna Iliq Preliq, katër gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kasacionit dhe kryetarit të saj Dragomir Milojeviq, dhe disa sekretarë shtetërorë, ndihmës ministra …”, shkruan gazeta.

Sipas kësaj gazete me këtë veprim, autoritetet e Kosovës kanë shkelur marrëveshjen e Brukselit që ka të bëjë me vizita zyrtare dhe e cila është në fuqi që nga viti 2014.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.