Saturday , January 19 2019

Këngëtarët shqiptarë që u dekoruan me mirënjohje nga krerët e shtetit gjatë vitit 2018

Viti 2018 ka qenë një vit mjaft i suksesshëm sa i përket kulturës dhe sportit.

Këngëtarë të shumtë shqiptarë me famë ndërkombëtare vizituan Kosovën, gjersa një pjesë e madhe e tyre u dekoruan me mirënjohje nga krerët më të lartë të shtetit, percjell Fakte.

Telegrafi ju sjell një përmbledhje speciale të artistëve shqiptarë që u nderuan me dekorata dhe mirënjohje gjatë vitit 2018:

Rita Ora nga Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi (Foto: Telegrafi/Rita Ora/Instagram)

Këngëtarja shqiptare me renome botërore, Rita Ora, e vizitoi Kosovën më 17 shkurt 2018, ku me ç’rast mbajti edhe një koncert falas me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në të njëjtën ditë, ajo u dekorua me “hyjneshën në filigram” nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e priti atë bashkë me familjarët e saj në zyrën e tij. Përveç kryeministrit, ajo u nderuar me mirënjohje edhe nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Ramë Lahaj nga Hashim Thaçi (Foto: Hashim Thaçi/Facebook)

Tenori kosovar i njohur ndërkombëtarisht, Ramë Lahaj, është nderuar gjithashtu me mirënjohje nga krerët e shtetit gjatë vitit 2018. Më datën 7 maj 2018, ai u prit në zyrën e Presidentit Thaçi, ku u dekoruar me “Medaljen e 10 vjetorit të Pavarësisë”.

Tenori Lahaj u shpreh i lumtur për këtë dekorim nga kreu më i lartë i shtetit, ndërsa shprehe i ngazëllyer se do të vazhdojë të promovojë kulturën tonë në botë.

Dua Lipa nga Shpend Ahmeti (Foto: Dua Lipa/Instagram)

Artistja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, e vizitoi Kosovën gjatë vitit 2018 gjithashtu. Në datën 10 gusht 2018, ajo mbajti një koncert gjigant për fansat në kuadër të festivalit “Sunny Hill”, koncert të cilin e mbajti në Parkun Gërmia, në Prishtinë. Gjatë këtyre ditëve, asaj iu dhurua edhe “Çelësi i Qytetit”, nga kryetari i komunës së Prishtinës , Shpend Ahmeti.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Dua Lipa, ka treguar emocionet e shpërblimit me këtë dekoratë, duke u shprehur: “Ishte një nder për mua të marrë çelësin e parë të Prishtinës, dhe unë do ta çmoj atë moment për gjithë jetën time”.

Era Istrefi nga Hashim Thaçi (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Këngëtarja Era Istrefi më 20 korrik të vitit 2018 u mirëprit në zyrën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku edhe u nderua me “Medaljen e Jubileut të 10 vjetorit të Pavarësisë”. Ky çmim iu dha asaj në nderim të promovimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“U ndjeva shumë mirë kur presidenti më dekoroi. Më falënderoi për punën e palodhshme që lidhet me kontribimin ndaj vendit. Për mua gjithmonë ka pasur rëndësi kontribuimi. Ai më premtoi ndihmë dhe përkrahje”, ka thënë Era Istrefi në një intervistë për Telegrafinlidhur me këtë takim.

Azet nga Familja Rugova (Foto: Telegrafi)

Më datë 5 gusht të vitit 2018, reperi shqiptar shumë i suksesshëm në Gjermani, Azet, u mirëprit në Rezidencën Presidenciale të Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai takoi me rend të gjithë anëtarët e familjes, teksa në shenj mirënjohje iu dhurua një pjatë nga koleksioni i presidentit të ndjerë, gjë për të cilën u shpreh i lumtur, dhe mbi të gjitha për faktin se pati rastin të takojë anëtarët e kësaj familje.

Ardian Bujupi nga Ramiz Lladrovci (Foto: Ramiz Lladrovci/Facebook)

Këngëtari shqiptar shumë i suksesshëm në Gjermani, Ardian Bujupi, më datë 3 gusht të vitit 2018 është mirëpritur në zyrën e kryetarit të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ky i fundit, i ka dhuruar atij një mirënjohje për nde të promovimit që i ka bërë Kosovës në përgjithësi, por edhe karrierës së suksesshëm që ka ndërtuar në Gjermani, Në po të njëjtën datë, Ardian Bujupi mbajti edhe një koncert për fansat e tij të shumtë të komunës prej edhe nga ka prejardhjen, Drenas.

Shyhrete Behluli nga Hashim Thaçi (Foto: Hashim Thaçi/Facebook)

Këngëtarja e njohur e muzikës popullore gjatë muajit gusht është nderuar po ashtu me mirënjohje nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Ky i fundit, i ka dhuruar asaj “Medaljen për Merita të Veçanta”, në sajë të karrierës së saj të suksesshme ndër vite.

“Është vërtetë një nder i madh dhe kënaqësi e madhe të vlerësohesh me një mirënjohje të tillë, të cilën çdo artist e dëshiron. Jam ndjerë tejet e lumtur dhe e privilegjuar që pata rastin të dekorohem, dhe falënderoj përzemërsisht presidentin Thaçi që vendosi të ma ndajë mua një mirënjohje të tillë. Të shohësh se si puna jote që ke bërë me vite të vlerësohesh, nuk ka më mirë. Unë kam një karrierë të gjatë prej vitesh, ndaj dhe këtë çmim e kam mirëpritur me kënaqësi”, ishte shprehur këngëtarja Behluli për Telegrafin pas nderimit me këtë mirënjohje.

Leonora Jakupi nga Ramush Haradinaj (Foto: Ramush Haradinaj/Facebook)

Në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vitit 2018 ishte pritur edhe këngëtarja e njohur, Leonora Jakupi. Asaj iu dhuruar një mirënjohje, ndërkohë që i ishte premtuar sjellja e eshtrave të babait të saj të ndjerë në Kosovë.

Dhe ashtu ndodhi, më datë 29 shtator, eshtrat e dëshmorit Qazim Jakupi, njëherësh babai i këngëtares, u sollën në Kosovës dhe në po të njëjtën ditë u organizua një akademi përkujtimore në nderim të të ndjerëve.

Vesa Luma, Aurela Gaçe dhe Elhaida Dani nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj (Foto: Vesa Luma/Facebook)

Më 29 nëntor, këngëtaret Vesa Luma, Aurela Gaçe dhe Elhaida Dani u mirëpritën në zyrën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

I njëjti i shpërbleu ato me mirënjohje, duke u dhuruar Skulpturën e “Sahat kullës” të Tiranës , në nderim të karrierës së tyre të suksesshme ndër vite.

“Mirënjohja, ishte një privilegj shumë i madh të nderohesh nga kryetari i kryeqytetit shqiptar, vend ky që më ka rritur artistikisht e më ka mësuar aq shumë! Shumë emocion”, ka thënë Vesa Luma për Telegrafin pas nderimit me mirënjohje nga Veliaj. /Telegrafi

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *