Wednesday , December 12 2018

Kandiç: Strategjia e Serbisë kundër anëtarsimit të Kosovës në INTERPOL, e turpshme

Intervistë mbi mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, e dhënë për gazetën serbe Danas, nga themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiç, percjell Fakte.

Më poshtë po përcjellim të plotë intervistën e Znj. Natasha Kandiç, themeluese e Fondit për të drejtën humanitare në Serbi, në lidhje me mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL dhe qëndrimin e Serbisë për këtë. “Nuk dua të spekuloj nëse vendimin për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL është rezultat “i lobimit të suksesshëm serb”, por më vjen turp sesa e fandaksur është Serbia pas asaj strategjisë perverse që të përdorë të gjitha mjetet, edhe ato të ndyrat, në mënyrë që të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Festimet në Mitrovicë, “fitorja” e Serbisë dhe reaksionet e vakëta të ekspertëve të opinionit publik flasin qartazi se në Serbi nuk ekziston as një mirëkuptim elementar i asaj se nuk ka normalizim pa përafrimin e interesave të përbashkëta, të rëndësishme për të ardhmen- vendosja e shtetit ligjor”, komenton për Danas-in Natasha Kandiç, themeluesja e Fondit për të drejtën humanitare.

Si e komentoni mënyrën sesi zyrtarët e lartë serbë iu kundërvunë Kosovës që të bëhet anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare, si dhe triumfalizmin pas këtij suksesi, sipas interpretimit të pushtetarëve serbë?

-Fakti që Serbia lobon kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, nuk është asgjë tjetër veçse një politikë e pamenduar mirë, e cila Serbisë nuk i sjell asgjë të mirë, në një kohë që i pengon serbët në Kosovë, mendoj nëpërmjet pamundësimit të punës së një sërë mekanizmash ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Europës, serbët (e Kosovës) nuk mund të ankohen në Gjykatën europiane për të drejtat e njeriut për faktin se me ligj janë përjashtuar familjet e viktimave pas qershorit të vitit 1999.

Si i komentoni deklaratat si puna e asaj që dha shefi serb i diplomacisë, Ivica Daçiç, se Kosova është tashmë në INTERPOL sepse të gjithë janë në akt-akuza, dhe asaj, e cila do të thosha se është akoma më dramatike, se “Kosova nëpërmjet Kurcit” deshi të hynte në INTERPOL?

-Ministri Daçiç e ka reduktuar diplomacinë në pazarin e gjësë së gjallë. Ndërsa një politikë tjetër e jashtme e Serbisë do të mund të ndihmonte në afrimin e Serbisë me Kosovën duke vendosur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Gjatë kohës së luftës ai ndihmoi kolegun e tij të kohës së studimeve Bahri Cani që të dilte nga burgu i fshehtë e UDB-ës dhe të largohej nga Serbia, ndërsa sot, duke gjykuar sipas reaksioneve dhe aksioneve të tij (bërja për vete e atyre shteteve pikësore që të asgjësojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës), ai në fakt e ka mbyllur, izoluar në një gropë Kosovën, sikur ajo të mos ekzistonte. Faktet mbi numrin e civilëve të vrarë në Kosovë në vitet e 1998-2000: 8.676 civilë shqiptarë, 1.196 serbë dhe 445 romë, të sugjerojnë kujdes të madh në lidhje me „shakanë“ e Ministrit se Kosova është tashmë në Interpol (duke patur parasysh aktakuzat që i ka paraqitur Prokuroria serbe për krimet e luftës Interpolit. – shën. përkth). Ku është Serbia me të kaluarën e saj kosovare?

Nga ana tjetër, gjoja, kemi raportin “më të denjë” që shprehu Presidenti i Serbisë, dhe ky është se nuk duhet ta poshtërojmë Kosovën sepse ka përjetuar debakël në votim. A e shihni këtë si një qëndrim të sinqertë, duke patur parasysh raportin e tij tërësor ndaj problemit kosovar?

-Bota e arsyeshme dhe dinjitoze priste nga ai që ta mbështeste anëtarësimin e Kosovës me shpjegimin e thjeshtë dhe të saktë- se anëtarësimi është në interes të serbëve në Kosovë, në interesin e tërë rajonit dhe kusht për normalizimin e marrëdhënieve. Por ai mbajti anën e Ministrit Daçiç dhe të politikanëve të tjerë, kjo u duk qartë në media, kështu që pas “fitores” me kontributin e rëndësishëm të tij, çdo fjalë është e tepërt.

Si e konsideroni deklaratën e Vuçiçit në të cilën ai thotë se serbët nuk e kanë kuptuar politikën e tij ndaj Kosovës dhe në të cilën, ai me ndarje apo shkëmbim territoresh lë për të kuptuar se kjo është antitezë dhe antiqëndrim i atyre të nacionalistëve?

-Ende nuk e di, nuk e kam kuptuar se cila është politika e tij ndaj Kosovës. Përballet mirë me krerët e Kishës Ortodokse serbe, të cilët, për të siguruar privilegjet dhe pasuritë e tyre, kërkojnë që kishat dhe klerin në Kosovë ta ruajnë forcat ndërkombëtare dhe policia e Kosovës, por pa njohje dhe pa ndarje. Nëse Presidenti propozon njohje të Kosovës me bashkim të Mitrovicës dhe disa pjesë të tjera të Kosovës Veriore me Serbinë, atëherë kjo është, për mendimin tim, një zgjidhje e keqe. Mitrovica është e rëndësishme për serbët në Kosovën Qendrore. Këtu janë spitali, fakulteti, gjykata dhe institucione të tjera me rëndësi vitale për serbët. Nëse nuk kanë Mitrovicën, serbët do ta braktisin Kosovën. Politikanët serbë, mendoj për serbët në Mitrovicë, janë biznesmenë me shtëpi në Serbi dhe me biznese të pakontrolluara në Kosovë e madje gjithnjë e më shumë të tilla edhe në Serbi. Atyre as që u bëhet vonë për serbët e zakonshëm në Mitrovicë, e aq më pak për serbët në Graçanicë, Llap-fshat, Novobrdo, Ranillug, Shtrpce… Zgjidhje e mirë është forcimi ekonomik i Mitrovicës dhe Graçanicës, që spitali në Mitrovicë të bëhet spital i njohur në rajon, që dijet mbi teknologjitë e reja dhe digjitalizimin t’u transmetohen serbëve, ata që me dijen dhe aftësitë e tyre t’i imponohen Kosovës dhe rajonit. Zgjidhja për Kosovën gjithashtu duhet të përfshijë edhe përmirësimin e kushteve të jetës, të drejtave politike dhe ekonomike të serbëve. Serbët nuk janë të integruar në shoqërinë kosovare. Politikanët kosovarë janë të interesuar vetëm për serbët që marrin pjesë në institucionet kosovare, ndërsa serbët e tjerë nuk u interesojnë. Që këtu del i qartë fakti se përse serbët nuk mund të vizitojnë Gjakovën, qytet në të cilin kanë lindur dhe kanë kaluar jetën. E kuptoj se është i nevojshëm ndonjë demarkacion i vogël, por kjo duhet realizuar duke punuar në një atmosferë të fqinjësisë së mirë, pas njohjes së Kosovës në kufijtë ekzistues.

Çfarë mendoni për mesazhet gjithnjë e më të shpeshta mbi atë se shumë shtete të BE-së madje edhe të SHBA-së janë të gatshëm të pranojnë ndryshimin e kufijve pa marrë parasysh rrezikun që paraqet kjo për sigurinë e njerëzve të zakonshëm që jetojnë në Kosovë, por edhe të atyre ideve nacionaliste në Bosnjë, të cilat gjithashtu, kërcënojnë njerëzit e zakonshëm?

-Qëndrimi gjerman është i sinqertë, i argumentuar dhe të jep besim. Disa vende të BE-së dhe disa përfaqësues të Komisionit Europian duket sikur e kanë harruar se çfarë u kanë sjellë njerëzve “korrektimet e kufijve” në territorin e RSFJ-së së dikurshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.