Tuesday , August 21 2018

Jeremiq: Përcaktimi i vijës kufitare i siguron Kosovës ulësen në OKB, pastaj bashkimin me Shqipërinë

Kryetari i Partisë Popullore të Serbisë, Vuk Jeremiq,  tha se përcaktimi i vijës kufitare me Kosovën, për të cilin po angazhohet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, paraqet një ridefinim të kufijve.

Siç raportojnë mediat serbe, Jeremiq ka thënë se “kjo parqet një tjetërsim të përhershëm dhe me paramendim të një pjese të territorit të Serbisë”.

“Përcaktimi i kufijve paraqet Kosovën si anëtare e OKB-së brenda gjashtë muajve, kurse brenda pak vitesh – ‘Shqipërisë së Madhe’”, tha Jeremiq në Kragujevc, ku mori pjesë në vazhdimin e fushatës së Partisë Popullore “Një nënshkrim ndryshon gjithçka”, e cila synon mbledhjen e nënshkrimeve kundër marrëveshjes me të cilën Serbia do të lejonte ulësen në OKB për Kosovën dhe në këtë mënyrë do të njihte pavarësinë e Kosovës.

Lidhur me deklaratën e fundit të presidentit Vuçiq, se angazhohet për demarkacionin e kufirit me Kosovën, Jeremiq  u tha gazetarëve se “demarkacioni  është jo kushtetues dhe thellësisht i dëmshëm dhe përbën një diktaturë të përshpejtuar, e cila vjen nga fashizmi në Serbi”, përcjell Fakte.

Ish-ministri i Jashtëm Serb, Jeremiq,  tha se “në qoftë se shteti [Serbia], i cili ka shumë pakica etnike, vendos të bëjë demarkacionin me njërën, kjo nuk do të jetë pakica e fundit me të cilën do të bëjë demarkacionin”.

“Ky është një proces jashtëzakonisht i rrezikshëm, që do të thotë se ju filloni t’i quani kundërshtarët politikë agjentë,  priftin e Manastirit të Deçanit spiun dhe tradhtar. Kjo nuk përfundon me kaq”, tha Jeremiq.

Ai tha se Partia Popullore po mbledh nënshkrime kundër tërë këtyre zhvillimeve në mënyrë që atij që është i gatshëm të nënshkruajë pavarësinë e Kosovës “t’i dridhet dora”. /Telegrafi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.