Ivanovi me Ahmetin e Gruevskin shkojnë në Romë

Po vërtetohen paralajmërimet se bojkoti i zgjedhjeve presidenciale nga ana e BDI-së, me pretekst se duhet të zgjedhet president konsensual, nuk ishte asgjë tjetër përveç se strategji e koordinuar bashkë me VMRO-DPMNE-në, që Gjorge Ivanovi të marrë edhe një mandat presidencial, transmeton Fakte.

Kjo pasi legjitimitetin e “presidentit jolegjitim Ivanov”, pas Talat Xhaferit tani e njeh edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka pranuar ftesën e Ivanovit që të jetë pjesë e delegacionit shtetëror maqedonas, në aktin e shenjtërimit të Nënë Terezës më 4 shtator.

Ivanov i ka ftuar liderët e VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së – Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi të marrin pjesë në aktin e shpalljes së Nënë Terezës për shenjtore në Romë më 4 shtator. Ivanov, i cili do ta udhëheqë delegacionin shtetëror-kishtar në këtë ngjarje me peshë në rang botëror, transmeton Gazeta Lajm.

Prezencë në këtë ngjarje, siç merr vesh gazeta Dnevnik, tashmë e kanë konfirmuar Gruevski, Zaevi dhe Ahmeti. Informacionin e kanë konfirmuar edhe nga kabineti i Ivanovit, prej ku kanë thënë se konfirmim ende nuk kanë marrë vetëm nga kryetari I PDSH-së, Menduh Thaçi.

Burimet tona thonë se akti i shenjtërimit të Nënë Terezës është gjetur si pretekst i mirë nga shtabi i VMRO-DPMNE-së për të legalizuar jaraninë Ahmeti-Ivanov, sepse në këtë fazë kur Maqedonia gjendet në prag të zgjedhjeve të reja, “roli i Ivanovit pritet të jetë kyç në skenarë që do të realizohen muajt në vijim, e që kanë për qëllim që të shpëtojnë BDI-në nga humbja në zgjedhje”./Lajm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *