Thursday , April 22 2021

Ismaili për TetovaSot: UNITETI po përgatitet për pjesëmarrje në zgjedhjet e 11 dhjetorit

Praktika e deritanishme ( e këtij viti ) e caktimit të datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë e ka ngritur pyetjen e shtyrjes së tretë të tyre. Është ngritur një iniciativë deri te Gjykata Kushtetuese nga partia UNITETI dhe PDSH-ja për kontestimin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për me 11 dhjetor të këtij viti.

Edhe përskaj kësaj, aktivitetet e partive, takimet me qytetarët dhe sulmet e ndërsjella midis tyre nuk kanë të ndalur.

Analistët politik në lidhje me këtë temë kanë pikëpamje të ndryshme, por afrohen tek një pikë e përbashkët se aktivitetet e partive politike japin shenjën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me 11 dhjetor të këtij viti.

Muhamed Ismaili nga partia UNITETI, në një prononcim për portalin TetovaSot, ndërmjet tjerash theksoi se partitë jashtë parlamentare shqiptare po përgatiten për pjesëmarrje në zgjedhje.

 “Në Maqedoni nuk respektohen kushtetuta, ligjet dhe procedurat e shtetit ligjorë. Katër partitë politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos vendimet i sjellin në bazë të interesave partiake dhe në dëm të shqiptarëve. Gjykatat dhe institucionet tjera shtetërore janë tërësisht të partizuara dhe të dirigjuara nga partitë.

UNITETI dhe koalicioni i partive jashtëparlamentare shqiptare po përgatitet me angazhim të lartë për pjesmarrje në zgjedhje, duke shpresuar në mbikqyrjen dhe ndihmën e faktorit ndërkombëtar dhe duke pritur rezultatet e punës së Prokurorisë Speciale.

Ne jemi të bindur se shqiptarët do të votojnë për ndryshime dhe koalicioni do të ngadhnjejë.”, deklaroi Ismaili për portalin TetovaSot.

Përndryshe, para disa kohësh u nënshkrua Marrëveshja e Përzhinos e cila ka për detyrë që ta nxjerr vendin nga kriza politike me një epilog përfundimtar të organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Fillimisht u caktuan dy data të mbajtjes së tyre, por të njëjtat u anuluan për shkak të mos plotësimit të kushteve, 11 dhjetori është data e tretë e caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare./TetovaSot/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *