Saturday , February 27 2021

Ikën super-investitori i huaj nga Shqipëria: S’mund të rrimë në një vend që kërcënohet jeta e punonjësve tanë!

Punonjësit e kompanisë “Omnix Albania” mbetën të habitur dje në mëngjes kur në zyrat e tyre mbërriti lajmi se kompania do të largohet nga Shqipëria, duke lënë në mes investimin prej 450 milionë dollarësh.
Njoftimi zyrtar që mbërriti në zyrat e “Omnix Albania” në hotel “Sheraton” e që mbante firmën e Jamal Abu Issa, drejtorit të kompanisë, ishte shokues për rreth 20 personat e stafit shqiptar të kësaj kompanie, të cilët duhet të ndërpresin kontratat e tyre me këtë kompani, shkruan “Panorama”.

Stafi mbështetës i kompanisë, i cili punonte që prej vitit 2008 për “Omnix Albania”, do të duhet të kërkojë punë. Një përfaqësues i kompanisë, i cili zëvendësonte administratorin Fadi Mitri, i cili që prej datës 10 shtator ndodhej në spital i plagosur me fraktura pas rrahjes brutale me shkop bejsbolli nga tre të rinj, u komunikoi punonjësve vendimin që vinte nga Katari.

“Ne nuk mund të punojmë në një vend ku kërcënohet jeta e punonjësve tanë”, mësohet të jetë shprehur përfaqësuesi i kompanisë, ndërsa u ka sqaruar atyre se do të ndiqen të gjitha procedurat administrative sipas ligjit shqiptar për ndërprerjen e kontratës së punës me kompaninë “Omnix Albania”.

Pak muaj më parë, kompanisë iu miratua leja e projektit nga KRT-ja dhe ishte pikërisht momenti kur ajo do të fillonte zbatimin e projektit më ambicioz dhe investimit më të madh që kryhej ndonjëherë në Shqipëri në fushën e turizmit.

Kompania nga Katari është e njohur në të gjithë botën për kategorinë luksoze të resorteve të saj, ndërsa projekti i saj në Gjirin e Lalzit parashikonte edhe një port jahtesh dhe lidhje direkte me aeroportin e Rinasit.

Kompania kishte vite që kishte blerë sipërfaqen prej 23 hektarësh në Gjirin e Lalzit dhe priste miratimin e lejes së ndërtimit nga qeveria shqiptare. Mësohet se kompania kishte ndërtuar sistemin e kanalizimeve në të gjithë sipërfaqen, ndërsa një kompani shqiptare sigurimi kishte kontratë me të për ruajtjen e territorit.

Kompania është “Omnix Albania”, që është regjistruar në QKR, më 27 mars të vitit 2008, me pronar shtetasin nga Katari Jamal Abdulsalam Abu Issa. Kapitali i saj në regjistrimin fillestar ka qenë rreth 10 milionë dollarë, ose 1.1 miliard lekë.

Mësohet se oferta për këtë investim i janë bërë “Omnix Albania” edhe nga autoritetet e Malit të Zi, duke i ofruar kushte lehtësuese për zbatimin e projektit./express.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *