Monday , January 25 2021

Homogjenizohet trupi votues shqiptar për zgjedhjet në Mal të Zi

Krerët e ASH-së, Forcës dhe UDSH-së kanë nënshkruar në Ulqin marrëveshjen për dalje të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sipas informatave ende të pakonfirmuara, Nik Gjeloshaj (ASH) dhe Genci Nimnabegu (Forca) në rast të fitores do ta ndajnë mandatin, ndërsa për kreun e UDSH-së, Mehmet Zenka është dakorduar vendi i ministrit, me çka jepet “sinjal” se ky koalicion veç ka paralajmëruar futjen në Qeveri, transmeton Fakte.

Përmes një kumtese, Force e Re Demokratike bën të ditur:

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicionin parazgjedhor mes Forcës së Re Demokratike dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve, sot këtij koalicioni i është bashkuar edhe subjekti i tretë më i madh politik shqiptar në vend, Alternativa Shqiptare.

Nëpërmjet këtij koalicioni, që përfshin tre partitë kryesore shqiptare të Malit të Zi, garantohet fuqizimi i faktorit politik shqiptar në vend duke mundësuar më shumë ndikimin në vendimmarrje dhe në jetën politike të Malit të Zi. Koalicioni i përbërë nga tre forcat më të mëdha politike, në përbërje të së cilës bashkohen dy deputetë shqiptarë, kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, synon një strategji afatgjatë, e cila ka për qëllim vendosjen e interesave kombëtare mbi ato personal.

Për shumë vite përçarjet politike dhe ndasitë personale kanë bërë që fragmentizimi i votës së shqiptarëve në Malin e Zi të dëmtojë vetë faktorin shqiptar në vend, duke e dobësuar atë ndjeshëm e mandej shkaktuar humbjen e mandateve politike çka ka sjellur pasoja të rënda për komunitetin shqiptar. Ndaj, bashkimi i votave të shqiptarëve sot, është më i mundur se kurrë si një parakusht për sigurimin e më shumë ndikimi në interes të të drejtave shqiptare dhe kauzave të tyre.

Përfaqësuesit e Forcës, UDSh-së dhe ASh-së përsërisin thirrjen e tyre drejtuar aktorëve dhe faktorëve të tjerë politik shqiptarë brenda dhe jashtë vendit që për hir të interesit kombëtar, të bashkojnë forcat, dhe të bëhen pjesë e këtij koalicioni të madh të shqiptarëve të Malit të Zi./Malësia

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *