Sot mbushen 15 vite nga beteja e Haraçinës. Plot 15 vite kanë kaluar nga një përleshje mes djemve më të mirë të kombit dhe forcave shtetërore, luftë jo e barabartë nga forca ushtarake dhe mjetet për luftim, por as edhe nga motivimi për ngadhnjim, luftë për çlirim nga sundimi, nënçmimi, diskriminimi…, shkruan Fakte. Edhe pas 15 vitesh qëllimet e luftës çlirimtare as për afër nuk janë arritur, idealet u lanë në harresë. Nga politikanët qeveritarë, që fatkeqësisht, një pjesë e tyre vijnë po nga uniforma e UÇK-së, vlerat e luftës përkujtohen ose në përvjetore ose para zgjedhjeve. Bile u shkua aq larg, sa që u tentua që simbolet si luani, që 15 vite më parë ishin në nishanin e tytave të UÇK-së, të imponohen si simpole shtetërore.
Haraçinasit, nëpërmjet faqes së tyre në Fb përkujtojnë Betejën e Haraçinës. Ata kanë shkruar:
“Beteja e Haraçinës është një kapitull i veçantë në luftën e lavdishme të UÇK-së. Më 22 qershor 2001, pikërisht në orën 4 të mëngjesit, forcat maqedone filluan ta granatojnë Haraçinën (nga të gjitha anët) me kalibra të mëdha artilerie dhe raketor. Fshati u mbulua me gazra toksike. Forcat maqedone tentonin me çdo kusht të hynin në fshat, mirëpo njësitë tona ishin fortifikuar mirë në pozicione dhe me asnjë çmim nuk lejuan depërtimin e forcave armike. Vlen të theksohet se në mbrojte të Haraqinës ishte një Batalion i Brigadës 113 dhe njësia speciale e kësaj brigade. Forcat maqedone për të realizuar qëllimet e veta, përdorën aeroplanë, helikopterë si dhe raketat tokë-tokë, të cilat hapnin kratere deri në 7-8 m thellësi me diametër 80 m². Gjatë betejës së përgjakshme në Haraçinë ranë dëshmorë shtatë ushtarë, ndërsa 26 të tjerë u plagosën rëndë. Beteja në Haraçinë zgjati tri ditë dhe pas tri ditësh me urdhër të SHP të UÇK-së i kemi ndërpre luftimet. Pas ndërprerjes së luftimeve në Haraçinë ka ardhur një delegacion i NATO-s dhe OSBE-së në krye me diplomatin Piter Fejt për të biseduar lidhur me gjendjen e krijuar. Në bisedime, (që zgjatën dy ditë), përballë delegacionit ndërkombëtarë prej 12 vetash, nga pala jonë ishte: Komandant Hoxha, Kushtrimi, Qufa. Pas bisedimeve të gjata u muar vendimi që njësitë tona të tërhiqen nga Haraçina. Ky ishte edhe vendim i SHP të UÇK-së. Nga Haraçina u tërhoqëm me 50 automjete amerikane dhe u vendosëm në fshatin Nakushtak.”-përfundon mesazhi.
Nëpërmjet disa fotografive ua sjellim ca çaste nga beteja e një lufte që duhej të sjellë kthesë në Maqedoni…